E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon sondazhi i Zogby, PS 39% kundrejt PD me 34%

Sondazhi i dytë i publikuar nga kompania amerikane Zogby International dhe televizioni shqiptar Top Channel, nxjerrin si fitues të mundshëm të zgjedhjeve parlamentare më 28 qershor 2009, edhe një herë, Partinë Socialiste. Sondazhi është organizuar nga kompania Zogby International gjatë muajit shkurt dhe në të morën pjesë rreth njëmijë qytetarë. Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, 39 për qind deklaruan se do të votonin për Partinë Socialiste dhe 34 për qind për Partinë Demokratike, 5 për qind për LSI, 2 për qind për G99 dhe një për qind, për PDK, PBDNJ, PR, PSD, PAA. Kështu ka një rritje me 2 për qind të PS dhe 4 për qind për PD. Duke komentuar sondazhin, përfaqësuesi i kompanisë së sondazheve Zogby International, z.Roxhers u angazhua për korrektesë dhe ndershmëri në leximin e vlerësimit të qytetarëve pjesëmarrës në sondazh. Zogby, ka theksuar se kompania nuk ka interes apo ndikim për ndonjë parti konkurruese në këto zgjedhjet. Rezultati i sondazhit është në të mirë të votuesve dhe nuk ndryshon bindjet e tyre. Ne kujdesemi për punën tonë që gjërat të jenë sa më të rregullta dhe të sjellim rezultatet e ndershme,  ka deklaruar kompania Zogby. Një nga sondazhet e bëra publike dje nga Zogby është, edhe ai i pesë çështjeve kryesore që përballet Shqipëria si papunësia, varfëria, inflacioni. Nga sondazhi që është bërë me qytetarët rezulton se 64% e tyre mendojnë se Shqipëria vuan nga papunësia, ndërsa inflacioni është vlerësuar me shumë pak pikë. Sondazhi i radhës, konsiston në faktin sesi e vlerësojnë qytetarët ecurinë e Shqipërisë rezultoi se 45% e tyre mendojnë se gjërat po ecin në rrugën e gabuar dhe 41% e tyre mendojnë se po ecin pozitivisht. Analisti i Zogby International, Sam Rodgers, i pyetur nga gazetari Sokol Balla sesi vepron Zogby për të kryer sondazhet kur në Shqipëri janë krijuar formacione të reja politike, ai tha se ne monitorojmë lajmet dhe jemi gjithmonë në kontakt me website. Gjithashtu, i pyetur nga gazetari Balla se pse Zogby International i zhvillon sondazhet, duke pasur parasysh  koalicionet dhe jo partitë individuale, Analisti Rodgers, u shpreh se koalicionet përkatëse shpërbëhen, ndërsa partitë janë ato që mbeten, të cilat më pas bashkohen me koalicione të tjera në mënyrë të vazhdueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›