E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e vitit 1997, kapet autori i dyshuar zbulohen dhe disa grabitje me arme

Vladimir Ibrahimi, sot pas arrestimit

Dibër, 11 mars 14:54 NOA - Një operacion i mirëorganizuar nga efektivat e policisë së Matit, i koduar “Plaga e Vjetër”, përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm me arrestimin e të shumëkërkuarit Vladimir Ibrahimi.

I riu 33-vjeçar, lindur dhe banues në lagjen “Partizani” në qytetin e Burrelit, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje, kërkohej nën akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, bënë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare të policisë së Dibrës.

Ata sqaruan se ndalimi i 33-vjeçarit, u bë pasi është dokumentuar se është autor i vrasjes së Genci Ferit Barçi, ndodhur më 10 nëntor 1997 ora 19.00 në lagjen “Drita” të qytetit Burrel.

Zbulimi dhe dokumentimi i kësaj ngjarjeje u bë i mundur si rezultat i përdorjes së metodave speciale të hetimit.

Policia tha se pas sigurimit të provave ligjore në ngarkim të autorit të dyshuar, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat është nxjerrë dhe urdhri i ndalimit për të.

“Gjatë punës për hetimin dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, u zbuluan edhe dy krime të tjera të rënda të ndodhura gjatë vitit 1997 në rrethin e Matit, si vrasje, dhe vjedhje me armë”, - konfirmoi policia, por për arsye të sekretit të hetimeve për momentin nuk bëhen të ditur emrat e autorëve.  

z.b/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›