E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Sarandës publikon listën e zgjedhësve

Pas konfirmimit të zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinant Poni për publikimin e listës së zgjedhësve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, on-line, Bashkia e Sarandës ka publikuar listën e zgjedhësve të këtij qyteti. Kështu, gjatë ditës së djeshme, Bashkia e Sarandës në mjediset e jashtme e të brendshme të saj, ka publikuar listat e zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009. Afishimi i listave dhe vënia e tyre në dispozicion të shtetasve nga Ministria e Brendshme dhe njësia e qeverisjes vendore, është konsideruar një hap shumë i rëndësishëm në punën për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Suzana Mehmeti, drejtorja e burimeve njerëzore në bashkinë e Sarandës, e ka cilësuar të rëndësishme këtë fazë, e cila u jep mundësinë votuesve të verifikojnë praninë ose jo të emrit të tyre dhe familjarëve në këto lista. Sipas saj, procesi i afishimit është edhe një proces verifikimi dhe pastrimi të listave, pasi qytetarët që konstatojnë mangësi të tilla, i kanë të gjitha hapësirat për të ndihmuar procesin. Në këto lista figurojnë të regjistruar 30 mijë zgjedhës, banorë të qytetit të Sarandës dhe të 6 fshatrave periferikë që bëjnë pjesë në juridiksionin e Bashkisë së këtij qyteti jugor të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›