E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme: Procesi i pajisjes me karta, po ecën normalisht

Akuzat e ngritura nga opozita në kuvend për ngadalësimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime, jo vetëm janë hedhur poshtë nga vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani por edhe kundërshtuar nëpërmjet një deklarate për shtyp nga kjo ministri. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, u shpreh se Ministria e Brendshme sqaron dhe një herë opinionin publik se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike po ecën normalisht. Sipas deklaratës së shpërndarë nga kjo ministri, ndër të tjera mësohet se deri më datën 8 Mars 2009 stacionet e aplikimit janë vendosur në një territor, i cili mbulon 80% të popullsisë së vendit. Në shkallë vendi kanë aplikuar 200 mijë qytetarë, 40% e të cilëve i takojnë grupit të qytetarëve që nuk kanë pasaporta. Deklarata e Ministrisë së Brendshme bën të ditur se procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftime elektronike po ecën normalisht. Janë prodhuar të gjitha letërnjoftimet e qytetarëve që kanë aplikuar deri në fundin e muajit Shkurt. Të gjitha kapacitetet e vëna në dispozicion nga konçesionari janë tërësisht të mjaftueshme për të realizuar këtë proces. Në fund të kësaj deklarate, bëhet e ditur se Ministria e Brendshme i bën thirrje edhe njëherë qytetarëve për tu drejtuar në pikat e aplikimit për të shfrytëzuar këto kapacitete, të cilat janë vënë në dispozicion të qytetarëve me orare të zgjatura. Edhe ministri Nishani, ka deklaruar në lidhje me shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike gjatë fjalës së tij në kuvend, ku ka theksuar se deri tani janë shpërndarë mbi 20 mijë e 700 letër njoftime, 80% të të cilave për persona të papajisur me pasaportë. Sipas ministrit, deri tani janë shpërndarë rreth 20 mije  700 letërnjoftime elektronike të prodhuara. Dhe në zyrat e aplikimit janë të gatshme për tu shpërndarë të gjithë letërnjoftimet e atyre qytetarëve shqiptarë që kanë aplikuar deri në fundin e muajit shkurt. Ndërkohë, kreu i shtetit, Bamir Topi, para dy ditësh së bashku me familjen e tij, kur ka aplikuar për letërnjoftime elektronike, i ka bërë apel të gjithë qytetarëve shqiptarë që të të ndërgjegjësohen se letërnjoftimi elektronik, përveçse i garanton të drejtën e votës, redukton bezdinë e certifikatave. Madje sipas tij hap dhe dyert e bashkimit Europian. Në lidhje me mbarëvajtjen e procesit, Presidenti i Republikës u shpreh se, akoma ka një mendësi që njerëzit të shkojnë aty ku shprehet detyrimi. Pavarësisht pretendimeve të opozitës për manipulim në proces qeveria garanton se zgjedhjet do të realizohen me dokumentet e reja të sigurisë së lart.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›