Vikena Kamenica, një album për miqtë
Mexosopranoja Vikena Kamenica do të mbajë nesër një koncert në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Titullohet "Një album për miqtë". Pjesë klasike të kompozitorëve më të njohur të huaj, por edhe shqiptarë, do të interpretohen nga këngëtarja, shoqëruar në piano nga Rudina Ciko. Ky organizim nuk ka një motiv të caktuar, por është një nga aktivitet vjetore të organizuara nga Teatri i Operës me solistët e saj. Pjesë e koncertit si të ftuar do të jenë sopranoja Dorina Selimaj dhe tenori Armaldo Kllogjeri. Kamenica është vazhdimisht e pranishme në koncerte të këtij lloji, ndërsa angazhimi i saj më i fundit në një opera në Teatrin e Operës i përket realizimit të rolit të Meg Page në operën "Falstaff", vënë në skenë në maj të këtij viti. Në vazhdim, mexosopranoja ka projekte të tjera për sa i përket skenës lirike.