E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima e dytë nga A H1N1

Në Kosovë shënohet viktima e dytë nga gripi i derrit. Ajo është H. H., 25-vjeçare nga Prizreni. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, e ndjera ishte hospitalizuar këtë të mërkurë në orët e pasdites në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Para se të shtrohej në klinikë, e ndjera, sipas versionit zyrtar, për tetë ditë është trajtuar në mënyrë ambulantore nga mjekët në Prizren. Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive, ka shpjeguar se e sëmura ka ardhur në gjendje të rëndë klinike, me shenja të insuficiencës kardio-respiratore, me pleuro-pneumoni të anës së majtë dhe pneumoni të anës së djathtë.

E sëmura tërë kohën ka qenë e trajtuar me Tamiflu, antibiotikë, kortizonikë, oksigjeno terapi, plus terapi tjetër mbështetëse, thonë zyrtarë për media në Ministrinë e Shëndetësisë. Por, të enjten, pacientja, për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes, është intubuar dhe është vendosur në respirator në Klinikën Infektive.

Përkundër terapisë së lartshënuar, gjendja e të sëmurës në mënyrë të përnjëhershme përkeqësohet të shtunën dhe në orën e 9 e 50 minuta përfundon më vdekje me tablo klinike të një insuficiencë akute kardiorespiratore, thuhet në komunikatë.

Kjo është vdekja e dytë që ndodh në Kosovë brenda dhjetë ditëve. Viktima e parë e virusit të gripit të derrit ishte 31 vjeçari H. E nga fshati Baincë i Drenasit. Edhe ky rast ishte paraqitur te mjeku me vonesë apo pas rreth dy javë e gjysmë, pasi të ndjerit i ishin paraqitur shenjat e para të gripit.

Ndërkohë, për të shtunën kanë mbërritur 5 mijë vaksinat e dhuruara nga Turqia si donacion për popullin e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i MSHH-së, Faik Hot, duke sqaruar se viktima e dytë e gripit të derrit ka qenë duke vuajtur edhe nga një sëmundje në mushkëri.

Sipas Hotit, pas pesë mijë vaksinave të para kundër gripit AN1H1, si donacion nga Republika e Turqisë për popullin e Republikës së Kosovës, që kanë arritur të shtunën pasdite, vaksinat e dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të vijnë në fillim të muajit dhjetor. Përveç kësaj, Naser Ramadani, drejtor i Institutit të Shëndetësisë Publike, ka deklaruar se numri i të prekurve nga gripi i derrave në vend ka arritur në 80 persona, por tashmë, sipas tij, epidemia është në rënie e sipër.

Ramadani tha se 5 mijë vaksinat do të shpërndahen menjëherë në terren, sipas prioriteteve të caktuara. Të parët do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë dhe gratë shtatzëna dhe pastaj personat me sëmundje kronike, ka deklaruar Naser Ramadani. Ramadani po ashtu kërkoi edhe një herë që të bëhet dezinfektimi i shkollave në nivel vendi, por shtoi se nuk di asgjë nëse është bërë apo jo kjo gjë.

Ne tashmë i kemi rekomanduar ministrit të Arsimit që të dezinfektojë shkollat si masë preventive për të parandaluar të gjitha rastet e gripit, por akoma nuk kam informata se sa është realizuar, ka thënë Ramadani.

Mutacion
Po ashtu është njoftuar se virusi A(H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit, ka pësuar mutacion. Lajmi bëhet i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Gjenevë. Mutacioni është vërejtur në mostrat e marra te dy persona në Norvegji, të cilët humbën jetën nga ky virus. Deri tani ekspertët kanë shpresuar se virusi nuk do të pësonte mutacion, pasi mutacioni nënkupton edhe lloje të reja vaksinash dhe mjekimi.

Vaksinimi në Maqedoni
Me vaksinimin e personelit mjekësor në Klinikën Infektive në Shkup, të shtunën ka filluar imunizimi kundër gripit të ri të llojit A (H1N1) në Maqedoni.
Personeli mjekësor i klinikës, i cili më së shumti është i ekspozuar ndaj kontakteve me persona të infektuar, do të vaksinohet me 5.000 vaksinat e para kundër gripit të ri nga prodhuesi "Novartis", të cilat dje arritën në Maqedoni, donacion nga Turqia.
Gjatë ditëve të ardhshme do të vaksinohet edhe personeli tjetër mjekësor në vend.
Ministri i Shëndetësisë një ditë më parë njoftoi se në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup janë hospitalizuar gjithsej 60 pacientë. Të gjithë marrin terapi adekuate dhe përveç dy pacientëve me gjendje më të rëndë, të hospitalizuarit tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

BE, pesë milionë qytetarë vaksinohen nga virusi A/H1N1
Pesë milionë qytetarë të Bashkimit Evropian janë vaksinuar deri më tash nga gripi i derrave, ka bërë të ditur Agjencia Europiane për Barna, ndërkaq në Kosovë, edhe pse deri më tash janë shënuar mbi 80 raste dhe një rast ka pasur përfundim fatal, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë.
Në kumtesën e BE-së konfirmohet efikasiteti dhe siguria e vaksinave kundër gripit A/H1N1 dhe rekomandohet përdorimi i vetëm një doze nga dy vaksinat, të cilat për momentin janë në përdorim, në vend të rekomandimit për dy doza.
Për fëmijë dhe për personat me shëndet të dobët edhe më tej rekomandohen doza të dyfishta të vaksinave, me qëllim të sigurimit që sistemi i tyre imunitar tu përgjigjet vaksinave përkatëse.

OBSH
Organizata Botërore e Shëndetit bëri të ditur se në të gjithë botën vetëm javën e kaluar kanë humbur jetën të paktën 500 persona nga gripi. Numri i viktimave që kanë humbur jetën në botë arrin në 6770,vetëm në Amerikë janë regjistruar 4806 vdekje

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›