E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima ka humbur ekuilibrin teksa punonte

Bie nga lartësia, gjen vdekjen një punëtor ndërtimi. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Poshnje, kur Xhevit Braushi, 19 vjeç, teksa punonte në një ndërtesë katërkatëshe ka rënë nga objekti dhe për pasojë ka gjetur vdekjen. Burime nga spitali rajonal i Beratit pohojnë se në orën 17:00 të ditës së premte, pranë repartit të urgjencës, është paraqitur 19-vjeçari Braushi, i cili paraqiste fraktura të rënda. Ndonëse i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, i riu nuk ka mundur ‘ti mbijetojë traumave të shkaktuara prej rënies nga lartësia dhe ka ndërruar jetë pak minuta më pas. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, 19-vjeçari ishte nga fshati Velagosht, i Kuçovës dhe prej disa kohësh punonte në një brigadë që merrej me izolimin e banesave. Për një moment 19-vjeçari ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në tokë nga një lartësi prej 13.2 metrash. Pranë tij kanë qenë shokët e punës, të cilët e kanë nisur urgjent për në spitalin rajonal. Ndërkaq pas sinjalizimit, në vendngjarje ka shkuar një grup ekspertësh të policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshmitë e shokëve të tij të punës. Policia po punon për gjetjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›