E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktimat nga tërmeti, Berisha mesazh ngushëllimi Erdoganit

TIRANë- Kryeministri Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për viktimat e shkaktuara nga tërmeti në Anatolinë Lindore.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet dhe ndjenjat e solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për qeverinë dhe kombin turk.
"Me keqardhje të thellë mësuam për tërmetin që ra në Anatolinë Lindore, si pasojë e të cilit humbën jetën disa dhjetëra qytetarë të vendit tuaj dhe u shkaktuan dëme të tjera materiale. Të gjithë shqiptarët ndajnë me familjet e viktimave dhe me popullin mik të Turqisë dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të prehen në paqe", thuhet në mesazhin e Kryeministrit Berisha.
Të paktën 57 persona humbën jetën pas një tërmeti të fuqishëm që goditi dje në orët e para të mëngjesit, Turqinë Lindore. Tërmeti me magnitudë 6,2 ballë të shkallës Rihter, ndodhi 21 kilometra në jugperëndim të Elazigut dhe kishte një thellësi prej 11 kilometrash.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›