“Diplomacia shqiptare po realizon objektivat”

Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, interpelancë në Kuvend
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto deklaroi dje në seancën plenare të Kuvendit, se diplomacia shqiptare po realizon me rigorozitet objektivat e politikës sonë të jashtme.
“Reformimi i diplomacisë, ka si qëllim kryesor të realizojë një rol cilësisht të ri dhe pro aktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, të reflektojë stadin aktual si një vend anëtar i NATO-s dhe perspektivën e Shqipërisë si vend anëtar i Bashkimit Evropian, si një kontribuues e i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit së pari në nivel rajonal e më tej edhe në nivel global”, theksoi kryediplomati shqiptar gjatë interpelancës me deputeten e Partisë Socialiste, Arta Dade, mbi veprimtarinë e diplomacisë shqiptare.
“Sot politika e jashtme orientohet nga interesat tona kombëtare, nga respekti për ligjin ndërkombëtar dhe parimet që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve, të drejtat e njeriut dhe vlerat e detyrimet tona si anëtar dhe kontribuues në organizatat politike e të sigurisë në nivel rajonal dhe ato ndërkombëtare”, tha më tej ai.
Për ministrin Haxhinasto, arritjet e këtyre objektivave duhet të jetë një ndërmarrje e të gjithë politikës dhe si rrjedhim, këto objektiva duhet të jenë kontribut i përbashkët dhe përgjegjësi e përbashkët gjithashtu e politikës, përfshi edhe opozitën.
Kreu i MPJ-së, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e diplomacisë, si anëtarësimin në Nato, liberalizimi i vizave në zonën “Schengen”, që sot mbush një vjetorin, procesi i lehtësimit dhe liberalizimit të vizave dhe lëvizjes në shumë vende të tjera të botës së fundmi Brazilin, krijimi i një zone të lëvizjes me karta identiteti në Kosove, Maqedoni Mal i zi, proces që do të vazhdoje me tej.
Gjithashtu, Haxhinasto vuri në dukje progresin e vazhdueshëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, rritja e ndjeshme e kontakteve dhe e volumit të shkëmbimeve me shumë vende të botës, rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj shqiptarëve me banim jashtë vendit, kontributin për njohjen për shtetin e ri të Kosovës, kontributin për luftën globale kundër terrorizmit, etj. “Diplomacia shqiptare po realizon me rigorozitet objektivat e politikës sonë të jashtme”, përfundoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm.