Nëpunësi Isa: Nuk kam marrë lekë për targimin e automjeteve
Mbajnë qëndrim mohues, madje duke deklaruar se nuk kanë marrë asnjë lek për rastet e deklaruara në sallën e gjyqit nga prokurori. Por, për të kundërshtuar deklarimet e tyre, përfaqësuesi i akuzës paraqiti para gjykatës provat e marra përmes metodave speciale si përgjime, foto, filmime. Megjithatë, pasi ka dëgjuar palët dhe fjalën e akuzës, gjyqtari Martin Deda ka vendosur të caktojë masën “burg me afat 15-ditor” për shtetasit Xhevdet Mali e Orgest Isa dhe masat “arrest me burg” për shtetasit Ylli Shqarri e Engjëll Dylgjeri. Katër të arrestuarit janë shoqëruar dje në Gjykatën e Tiranës për t’iu vleftësuar masat e arrestit të marra në mungesë, si dhe për të caktuar një masë arresti për të ndaluarin Orgest Isa. Fillimisht janë përballur me provat e akuzës shtetasit Mali e Isa. Por, para se të njiheshin me akuzat, avokati i Malit ka kundërshtuar gjeneralitetet me të cilat është marrë masa ndaj klientit të tij, të cilat ishin tërësisht gabim. Por, prokurori kërkoi në seancë ndreqjen e gjeneraliteteve, pasi bëhet fjalë për këtë person të shoqëruar ndaj të cilit janë zhvilluar hetime. Mësohet se gjatë seancës, Isa të jetë shprehur se nuk i ka pranuar dokumentet e dorëzuara nga agjenti doganor ngaqë nuk iu dukën të sakta dhe se nuk ka marrë asnjë ryshfet siç deklarohet. Gjyqtari Deda caktoi masën “burg me afat 15-ditor” për Malin dhe Isën, duke i lënë kohë organit të akuzës për bërjen e disa ekspertimeve. Ndërsa për dy të pandehurit e tjerë, Dylgjeri e Shqarri, u vleftësua si e drejtë masa “arrest me burg”.
Hetimi
Dy ishin denoncimet që çuan në prangosjen e doganierëve, agjentëve doganorë dhe punonjësve të transportit që bënin targimin e automjeteve. Të gjendur përballë situatave korruptive, për të cilat personat e përfshirë kërkonin nga 4-5 milionë lekë, denoncuesit iu drejtuan Prokurorisë së Tiranës, konkretisht njësisë Task-Forcë, për të çjerrë maskën e korrupsionit të këtyre shtetasve nën hetim, nën masën e arrestit “burg pa afat” dhe “detyrim paraqitjeje”. Mësohet se gjatë hetimeve kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave, ndërkohë që provat që disponon organi i akuzës janë në foto, përgjime dhe forma të tjera të lejuara me vendim gjykate. Sipas burimeve nga akuza, rastet e denoncuara janë dy, ndërkohë që priten të tjera për t’iu shtuar dosjes hetimore në vijimësi. Doganierët e akuzuar, në bashkëpunim me agjentët doganorë dhe punonjësit ku jepeshin lejet e drejtimit dhe pranoheshin dokumentet, kërkonin nga 4-5 milionë lekë për një automjet me qëllim targimin e tij. Burimet nga akuza na shpjegojnë edhe mënyrën se si funksiononte skema e bashkëpunimit mes tyre. “Makina vinte nga jashtë dhe dilte nga dogana pa dokumente, kalim i lejuar nga doganierët pa u zhdoganuar automjeti. Agjentët doganorë e merrnin pa targa dhe kundrejt shumave të konsiderueshme arrinin t’i bënin dokumentet përmes bashkëpunëtorëve ku pranoheshin dokumentet dhe targohej automjeti, dokumentacion i bërë me dokumente të falsifikuara. Për një zhdoganim dhe një targim automjeti, këta shtetas përfitonin deri në 5 milionë lekë”, - shprehen burimet nga akuza lidhur me mënyrën se si funksiononte bashkëpunimi mes 7 të akuzuarve.
Arrestimi
Pas disa muajsh hetime intensive me metoda speciale të përdorura nga hetuesit, u organizua operacioni i koduar “Porosia” dhe u ndaluan shtetasit Engjëll Dylgjeri, 48 vjeç, me detyrë agjent doganor, Xhevdet Mali, me detyrë agjent doganor, Ylli Shqarri, 46 vjeç, komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë dhe Olgert Isa, 27 vjeç, me detyrë inxhinier pranues dokumentesh pranë Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, Frida Guxia, 56 vjeçe, me detyrë doganiere në Shkodër, Sofokli Qose, 42 vjeç, me detyrë doganier në Tiranë dhe Ilmi Krantia, 50 vjeç me detyrë doganier në Tiranë.