E Shtunë, 31 Tetor 2026

Villas-Boas , 10-15 vite në Chelsea

Menaxheri i Chelseas, Andre Villas-Boas, mund të jetë në drejtim të ekipit për 10 ose 15 vite, sipas presidentit të klubit Bruce Buck. Ish trajneri i Portos, 33 vjeç, mori drejtimin e skuadrës nga Stamford Bridge në qershor.

“Ia kemi zili Arsene Wengerit në Arsenal dhe Sir Alex Fergusonit në Manchester United nga ana e jetëgjatësisë. Duhet të jetë njeriu i duhur për punë që të qëndrojë për 10 ose 15 vite dhe duke llogaritur moshën e Andres, ai mund të jetë ai njeri”, tha Buck për BBC Sport.

“Të gjithë mendojnë se mosha e tij mund të jetë aspekt negativ, por në fakt është shumë pozitiv”, shtoi Buck. Wenger, 61 vjeç, ka shënuar 15 vjetorin e tij në Arsenal pas emërimit më 1996. Ndërsa Ferguson, 69 vjeç, erdhi në Manchester United një dekadë para francezit, në nëntor, dhe do të shënojë 25 vite si menaxher në Old Trafford.

Chelsea ka humbur një herë në 10 ndeshjet e deritashme nën drejtimin e Villas-Boas dhe gjendet në pozitën e tretë në Premierligë, tri pikë prapa Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt. “Ai vërtet ka qenë në gjendje të lidhet me futbollistët. Ai është shumë i organizuar dhe e kupton shumë mirë futbollin”, përfundoi Buck.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›