E Diel, 1 Nëntor 2026

Malësi e Madhe, burri vret gruan në sy të fëmijëve

Viktima e kishte denoncuar një ditë më parë në policinë e kryeqytetit

Krimi në familje shënon viktimën e radhës në rrethin e Malësisë së Madhe. Një 52-vjeçar ka ekzekutuar me armë bashkëshorten në sy të fëmijëve, pas denoncimit që ajo i bëri në polici. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës të së enjtes në fshatin Aliaj, të Komunës Kastrat, në Malësinë e Madhe. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se 52-vjeçari Rrok Leklucaj ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij, 42-vjeçaren Margarita Leklucaj.

Konflikti

çifti Leklucaj prej disa kohësh kishte mosmarrëveshje. Ata ishin larguar nga fshati dhe jetonin në qytezën e Tuzit, në Mal të Zi. Burri punonte në ndërtim, por gjendja e tyre ekonomike vazhdonte të ishte e vështirë. Burrë e grua kishin pasur shpesh kontradikta mes njëri-tjetrit, që kohët e fundit ishin shtuar. Një ditë më parë, 52-vjeçari kishte marrë dy fëmijët e tij, djalin 6 vjeç dhe vajzën 3 vjeçe, dhe ishte larguar pa lajmëruar të shoqen. Ai kishte udhëtuar drejt Tiranës, ku ishin vendosur të afërmit e tij. Margarita ka rënë në gjurmët e bashkëshortit dhe e ka ndjekur deri në kryeqytet. Ajo ka kërkuar ndihmë pranë Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, pasi i shoqi ishte larguar bashkë me dy fëmijët. Policia është vënë menjëherë në kërkim të 52-vjeçarit dhe çifti është përballur në komisariat. Pasi janë marrë në pyetje për disa orë, kur u duk se gjërat u sqaruan, ata janë lënë të lirë të kthehen në shtëpi. Leklucajt janë kthyer në fshatin Aliaj, të shoqëruar edhe nga vëllai i 52-vjeçarit.

Vrasja

Tri orë pasi janë larguar nga kryeqyteti, rreth orës 00.45 të së premtes, Leklucajt kanë mbërritur në shtëpinë e tyre në fshatin Aliaj. Por teksa hynin për në shtëpi, 52-vjeçari Rrok Leklucaj ka rrëmbyer një kallashnikov dhe ka qëlluar mbi të shoqen. Dëshmitarë të skenës kanë qenë vëllai i 52-vjeçarit dhe dy fëmijët e mitur, të cilët janë tmerruar kur kanë parë nënë e tyre të mbuluar nga një pellg gjaku. Më pas, vrasësi ka hedhur armën pranë trupit të së shoqes që dergjej në dysheme dhe ka hyrë në banesë, ku ka pritur në qetësi derisa ka mbërritur policia. Kjo e fundit është lajmëruar për ngjarjen nga vëllai i autorit. Drejt fshatit malor kanë udhëtuar dhjetëra uniforma blu dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e 52-vjeçarit për në komisariat. Ai u është dorëzuar bluve pa shfaqur kurrfarë rezistence.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›