Varri masiv, ekspertët e dërgojnë dosjen në prokurori
Mjekësia Ligjore përfundon ekspertimin e eshtrave të zbuluara pesë muaj më parë në Linzë të Tiranës. Në raportin voluminoz të dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës antropologët u shpjegojnë hetuesve se përfundimisht eshtrat e zhvarrosura nga varri masiv i Dajtit u përkasin 12 meshkujve dhe një femre. Mosha e tyre, sipas këtij raporti, varion nga 25 deri në 40 vjeç, por nuk mungojnë edhe të moshuar mbi 65 vjeç. Sipas TCH, në këtë raport antropologët përcaktojnë se koha e ekzekutimit të personave, të cilëve iu përkasin këto skelete, është më shumë se 20 vjet. Por, ndërsa ekspertët kanë arritur të gjejnë se për një pjesë të eshtrave shkaku i vdekjes është arma e zjarrit, për disa të tjerë ekspertët nuk kanë mundur të përcaktojnë arsyen e vdekjes. Në raport nuk është arritur të përcaktohet identiteti i ndonjë prej skeleteve, pavarësisht fluksit të familjarëve të shumtë prej të pushkatuarve në diktaturë, të cilët janë në kërkim të eshtrave të tyre. Raporti ndodhet tashmë në zyrën e prokurorit Shpëtim Kurti, të cilit, përveç hetimeve të nisura në organin e akuzës, pritet t’i përcjellë Mjekësisë Ligjore dyshimet e tij për secilin skelet, pasi të krahasojnë gjininë dhe gjatësinë e tyre me pretendimet e dhjetëra familjarëve.
#