Demi, kritika Mediut për gradat dhe armët

Kryetari i Komisionit të Sigurisë sulmon ish-ministrin e Mbrojtjes për demontimin dhe gradat e ushtarakëve
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë ka qenë në dijeni të plotë se demontimi i armëve dhe municioneve të tepërta nga Ministria e Mbrojtjes, pa përjashtuar as aktivitetin që kryhej ne Gërdec për këtë qëllim, ka qenë problematik dhe jashtë kushteve të përcaktuara në rregulloret përkatëse.
Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, i cili ka deklaruar se gjatë inspektimeve që ky komision kishte bërë në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës që atë e drejtonte Fatmir Mediu ishin vënë re probleme për sa i përket eliminimit të armatimeve të tepërta, por pa detajuar se përse bëhej fjalë.
Duke folur përpara delegacionit të parlamentarëve kosovar që dje kanë vizituar Komisionin e Sigurisë, Demi ndërsa ka prezantuar mënyrën e funksionimit të këtij komisioni, ka deklaruar ndër të tjera se disa vite më parë ai ka inspektuar edhe punën që bënte Ministria e Mbrojtjes.
Kështu, Demi është shprehur se komisioni me dy grupe punë vëzhgoi nga afër aktivitetin e Ministrisë së Mbrojtjes, midis të cilave dhe për demontimin e armëve. "Mbikëqyrja tjetër e rëndësishme ka qenë për armatimet e tepërta që ka Shqipëria. Në fakt përfundimet nuk kanë qenë dhe aq pozitive.
Ne ia kemi bërë të ditura ministrit të atëhershëm dhe kemi bashkëpunuar me vonë me zotin Oketa për të marrë masat që shkatërrimet të bëheshin sipas rregullave", - tha Demi.
Ndërkohë që pjesë e këtyre inspektimeve ka qenë edhe ai për mënyrën sesi zbatohej ligji për gradat dhe karrierën në ushtri, për të cilin sërish Demi ka theksuar se në atë kohë u vunë sërish probleme.
"Ekipi ka parë sesi zbatohet ligji për gradat dhe karrierën dhe kemi vënë re disa shkelje të vogla", - tha më tej Demi. Gjatë takimit me delegacionin kosovar, Demi ka folur edhe për bojkotin e opozitës, duke e konsideruar atë të dëmshëm për imazhin e Shqipërisë në këto momente të rëndësishme integruese.