E Diel, 1 Nëntor 2026

Violinisti Virtuoz Enver Qerimaj, në skenën e festivalit pas 21 vjetësh mungesë

Violinisti Enver Qerimaj do të ngjitet nesër në skenën e Festivalit folklorik pas 21 vjet mungese. Katër herë pjesmarrës dhe po aq herë laureat i këtij Festivali si një nga instrumentistët më të mirë të të gjithë vendit Qerimaj së bashku me artistët e tjerë popullorë do të "mbrojë" larminë muzikore dhe etnografike të qytetit dhe të qarkut të Durrësit. Në një intervistë të dhënë në prag të nisjes për në Gjirokastër 60-vjeçari Enver Qerimaj kujton kënaqësinë që i kanë dhënë duartrokitjet e publikut, por edhe vështirësitë që ka ndeshur në rrugën artistike.Në afro gjysëmshekulli karrierë artistike ai ka qenë pjesë e formacioneve më të njohura orkestrale të muzikës klasike, të cilat janë mirëpritur në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Maqedoni. Ka kompozuar dhe orkestruar këngë të muzikës së lehtë; ka transkriptuar e më pas interpretuar me sukses edhe "Rapsodi në blu" nga Gërshëin; ka përcjellë me tingujt e violinës emocione të pafund te publiku durrsak që e çmon së tepërmi. Por vlerësimet më të mëdha i ka marrë në skenën e Estradës së Durrësit, ndërsa vazhdon të ngjallë entusiazëm çdo mbrëmje në një nga lokalet më të mira të bregdetit (Dy kitarrat). Megjithë suksesin televiziv që i kanë dhënë interpetimet në skenën e gurtë të kalasë së Gjirokastrës në vitet 1970-1980 Enver Qerimaj vazhdon të ketë një pishmanllëk: mungesën e shkollës."Fëmijëria ime lidhet me partiturat e Paganinit dhe Mendelsonit, të cilat i luaja në koncertet që organizoheshin në kryeqytet që në fundin e viteve 1950,-tregon Qerimaj. E më pas shton: Isha nxënës në klasat fillore të shkollës artistike "Jordan Misja" dhe specialistët shqiptarë apo rusë që vizitonin shkollën vlerësonin talentin dhe temperamentin e interpretimit,-shprehet Qerimaj. Luaja lehtësisht çdo pjesë; kur ma kërkonin bëja edhe Moto perpetuo me duar të ftohta nga dimri tiranas dhe më pas dëgjoja kur thoshin se "ky djalë i përmbush të dy kushtet e një professionisti të vërtetë".Por 12-vjeçari nga Durrësi nuk kishte raporte të mira me lëndët shkencore, e veçanërisht me matematikën. "Duket qesharake, por kjo më kushtoi largimin nga shkolla, e bashkë me të edhe përfundimin e një ëndrre". Në një familje me shumë fëmijë duhet të ushqente veten. 

Nga bankat e shkollës dhe skenat e teatrit kryeqytetas Qerimaj përfundon hamall në kalatat e portit detar të Durrësit.Dhe aty çdo gjë nis nga e para. Teknikës së mrekullueshme i bashkohet edhe kantilena e muzikës popullore që fillon ta luajë me ansamblin "Mujo Ulqinaku" të portit. Enver Qerimaj rritet jo mes bashkëmoshatarëve shkollarë por në skenat e lëvizjes amatore. Në vitin 1966 talenti i tij i padiskutueshëm e bën pjesë të orkestrës së Teatrit të Estradës, të cilën më pas e drejton për vite me radhë."Muzika për mua nuk ka dallime; një çardash hungarez duhet interpretuar me të njejtën dashuri si një kapriç i Paganinit, apo një kaba nga Shqipëria e jugut. Nuk ka rëndësi se çfarë moshe apo kulture ka dëgjuesi,misioni i tingujve është që ta emocionojnë njëlloj atë,-thotë mjeshtri i tastierës së vogël prej druri.Enver Qerimaj ka dhënë prova për këtë. Një nga ish-drejtuesit e kulturës në Durrës tregon se në vitin 1987 këngëtarët dhe instrumentistët e Estradës ishin thirrur të intepretonin gjatë darkës shtetërore për nder të kancalerit të Bavarisë Franz Jozef Shtraus. Politikani gjerman e ngriti kokën nga tavolina vetëm kur Enver Qerimaj nisi me tone të ulta Kabanë. E pas shpërthimit melodioz nuk munguan duartrokitjet e merituara,-kujton ai.Artisti virtuoz nga Durrësi po shkon në Festivalin e Gjirokastrës për të pestën herë. Tingujt e valles instrumentale bashkë me motivet nga Durrësi dhe Shqipëria e mesme do të përcjellin përsëri forcën e talentit dhe të vullnetit të violinistit Enver Qerimaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›