E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbereshët në Festivalin Folklorik: Zemrat tona të gëzuara janë, se atdheun erdhëm e pamë

Megjithëse mjaft të rinj në moshë, ata do t’i këndonin dheut të të parëve me të njëjtën ndjesi dhe emocion ashtu si baballarët apo stërgjyshërimit e tyre. Artistët popullore, pjesë e grupit të Arbëreshëve të Italisë, sollën në skenën e gurtë të Kalasë në natën e tretën, mallin dhe nostalgjinë për tokën e tyre, për Morenë e largët. “Moj e bukura More / si të lashë e më s’të pashë”, ishte refreni hymn i këngëve të shqiptarëve të Kalabrisë, e cila ashtu si edhe festivalet e kaluara të Gjirokastrës edhe në Festfolk 2009, hapi siparin e koncertit artistik të përgatitur prej tyre. “Gjithmonë kam ëndërruar të ngjitem në këtë skenë, të vallëzoj dhe të këndoj shqip ashtu siç kanë bërë brezat e ndryshëm të arbëreshëve të Kalabrisë këtu në Kalanë e festivaleve”, thotë Antonio Gatabajo, njeri prej artistëve popullorë. Kënga për Morenë e bukur, por të largët, e kënduar prej tij dhe pjestarëve të tjerë të grupit, erdhi si një përshendetje për tokën e të parëve të tyre. Spektatorët shoqëruan vazhdimisht me duartrokitje ekzekutimin në skenë të 30 artistëve popullorë të grupit të Arbëreshëve të Italisë, programi i te cilëve përfshinte 8 numra të veçantë si, këngë, valle, rite etj. “Petku dhe të mirat tona”, “Valle tradicionale”, “Lule, lule maca, maca” etj, ishin disa prej interpretimeve artistike të grupit të Arbëreshëve të Italisë, të cilat u shoqeruan me duartrokitjet e spektatorëve. “Zemrat tona të gëzuara janë, se Atdheun erdhëm pamë”, kënduan artistët e rinj të grupeve shqiptare të Kalabrisë mes të tjerash në këngën “Përshëndetje Gjirokastër”. Programi artistik i këtij grupi risolli në kujtesën e spektatorëve motivet e motrës së martuar larg, besën e Kostandinit që nuk e treti as dheu, largimin e arbërve nga Atdheu mes tisit të natës dhe detit të trazuar etj. Një prej elementëve më të spikatur të grupit ishin edhe veshjet e tyre popullore tradicionale plot ngjyra dhe hijeshi. “Në zonën e Bazilikatës dhe Kalabrisë, ku është i përqëndruar komuniteti arbëresh, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore ne përpiqemi të mbajmë gjallë gjuhën, këngën, vallet, ritet dhe traditat e të parëve”, thotë Antonia Gatabajo. Aktualisht, në komunitetin arbëresh ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë shoqatash kulturore, të cilat kanë një program të ngjeshur organizimesh për ruajtjen dhe promovimin e traditave të të parëve. Pas përfundimit të koncertit, të rinjtë arbëreshë përshëndetën publikun, duke uruar njëzëri që të kthen sërish në Kalanë e festivaleve për të vallëzuar dhe kënduar shqip ashtu si të parët e tyre në Morenë e largët matanë Adriatikut. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›