E Diel, 1 Nëntor 2026

Prurjet e Shkodrës në FFK, finesa qytetare dhe epika malësore

Artistët e qarkut të Shkodrës prezantuan në natën e tretë të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009, 14 këngë në një afat të përcaktuar kohor prej 30 minutash, ndërsa në këtë repertor spikatën elementë artistike shumë të vjetër si kënga "Maje krahu", ku interpretoj dyshja Nush Malaj dhe Turk Ropaj nga Malësia e Madhe. Më pas do të vijonin këngët tradicionale, si "Ninullë" që u interpretua me mjaft mjeshtëri nga këngëtaria Adelina Corraj, "Buzmi bujar", ritual përciellë nga grupi folklorik i rrethit të Pukës përpunuar si ritual nga Riza Hoxha, kënga "Hajde hajde moj selvie" kënduar nga Bashkim Vushaj dhe shoqëruar nga grupi i burrave Kelmend dhe  "Apa jonë ka ra në Pazar" kënduar nga grupi i burrave nga Anamalit. Notat epike të foklorit shkodran u përfaqësuan denjësisht nga  "Për vend tem nji kang me këndue" të kënduar nga Bardhok Përbibaj i zonës së Dukagjinit dhe "Moj gryk e hollë, flaka bajrakut", solist Ndue Shytani i shoqëruar nga grupi i burrave Dukagjin. Me finesë dhe ndjeshmëri dhe në ndonjë rast edhe me humor u përcollën në skenën e festivalit edhe tri numrat pasardhës "Gjirokastër faqe bardhë", rapsodi me lahutë në interpretimin e lahutarit të njohur Jonuz Delaj, "Duaje foklorin, mos hup vetveten" një këngë humoristike interpretuar nga vëllezërit Paloka dhe "Jeho bjeshkë", orkestra e veglave popullore të Pukës këngëtar Pjetër Nimani. Këngët popullore të qarkut të Shkodrës, ato qytetare dhe të zonave fshatare  kanë qenë në vëmendje edhe të etnologëve. Jo rrallë, në vargjet e tyre janë ndeshur informacione të vlefshme, që pasqyrojnë aspekte të jetës së përditshme dhe ngjarje të ndryshme. Veçanërisht të pasura me dëshmi të këtilla, janë këngët kushtuar ceremonialit të dasmës në qytetin e Shkodrës, e cila edhe këtë edicion u "kurorëzua" në natën e tretë të festivalit nga artistët virtuoz. Aty gjenden të dhëna për disa mjeshtëri popullore, si atë të rrobaqepësisë, qëndistarëve, argjendarëve, peshkatarit etj, për zakone e rituale të ndryshme, sidomos për modën e veshjes së banorëve të qytetit. "Në vargjet e këngëve popullore shkodrane përmenden më shumë veshjet e grave dhe veçanërisht të nuseve në ditën e dasmës. Ky element herë paraqet bukurinë e nuses e herë tregon forcën ekonomike të familjes së saj", shprehet specialistja e entografisë Prof. dr. Aferdita Onuzi. Ndërkohë veshja popullore shkodrane e burrave është ajo me fustanellë të gjatë, e shoqëruar me këmishën prej faqelli, xhamadani, dollama e jeleku prej cohe të kuqe, të gjithë të zbukuruar me qëndisje, brezi i mëndafshtë, dësllëqet,  këpucë të kuqe me llapa etj. Motive dasme të interpretuara nga grupi i vajzave të Vaut të Dejës dhe "Vallja e Logut" kërcyer nga Kol e Tatjana Vushaj krijuan një atmosferë shumëngjyrshe në sjenën e kështjellës së Gjirokastrës. Një kolazh këngësh qytetare shkodrane u  interpretuan me mjaft dashuri nga këngëtarët e njohur shkodranë Mukadez Çanga, Erketa Kuqani, Leonard Nimani dhe e shoqëruar nga kompleksi. Grupi përfaqësues i Shkodrës përveç spektaklit të përkryer solli në Gjirokastër një përfaqësim serioz të të gjitha travave, zhanreve, kostumeve popullore dhe riteve të kësaj treve. Udhëheqësi artistik i grupit të Shkodrës, Bardhyl Hysa, tha se grupi prej 60 vetësh, të përzgjedhur nga tre rrethet e qarkut Shkodër, Malësi e Madhe dhe Pukë, kanë ardhur në këtë festival për të "rrëmbyer" një çmim në këtë manifestim kombëtar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›