Virgine, sërish arrest në burg për Hajri Elezaj

I akuzuari, Hajri Elezaj
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot nisjen e verifikimit për vendodhjen e të pandehurit, Hajri Elezaj, i implikuar në kontrabandën e naftës Virgine. Një ditë më parë Gjykata e Apelit Tiranë, kishte vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për, Elezajn nga arrest në shtëpi në arrest në burg. Sipas Prokurorisë, efektivat e policisë Tiranë, në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, kane shkuar në banesën e shtetasit, Hajri Elezaj për të ekzekutuar vendimin, ndërsa personi nën hetim nuk është gjendur në banesën e tij, si dhe nuk dihet vendodhja.
Në këto kushte, kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës Virgine, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur verifikimet për vendodhjen e të hetuarit, kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit Arrest në Shtëpi të shtetasit Hajri Elezaj.- thuhet në deklaratën e Porkurorisë.
Gjykata e Apelit Tiranë një ditë më parë kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për zëvendësimin e masës së sigurimit të personit nën hetim Hajri Elezaj, nga arrest në shtëpi në arrest në burg”.
Ndërkohë, gjykata në datën 4 korrik të këtij viti kishte ndryshuar edhe njëherë tjetër masën e sigurisë për Elezajn, nga arrest në burg në arrest në shtëpi, bazuar në një raport të mjekësisë ligjore, ku Elezaj me qëndrimin e tij në paraburgim rrezikonte jetën për shkak të problemeve serioze qe ka me frymemarrjen.
Ky vendim është konsideruar si i pambështetur në ligj, ndaj dhe është apeluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Prokuroria Shqiptare është e vendosur të hetojë në thellësi dhe gjerësi gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, përfundon deklarata e Prokurorisë.