TË FUTËSH HUNDËT TEK TJETRI
Të futësh hundët tek tjetri është thjesht një “gabim natyralist”, siç e quan socialpsikologjia dhe ky koncept në vetvete buron nga fakti se nuk ka urë lidhëse mes “është” dhe “duhet”, të cilat e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës e karrierës. Kjo është, domethënë ndodh realisht, kurse kjo duhet është perspektiva e afërt ose e largët. Në vendosjen e këtij raporti njeriu gabon rëndom, madje edhe duke krijuar situata të pakëndshme. Vini re edhe fillimin e një leksioni të mbushur plot me “duhet”, aq sa të duket sikur çdo gjë është ndërtuar në një ekzistencë joreale. Porositë me “duhet” janë të panevojshme, duke qenë se përpara kanë faktin, ndodhinë, realitetin, mbi të cilin duhet të mbështetemi fort.
“Gjendja është kjo dhe do të veprojmë kështu” thotë Abraham Maslou, psikologu personalist dhe socialpsikologu i njohur. Dhe më tej vazhdon: “është e pandershme që ne të themi se gjendja është kjo dhe duhet të veprojmë kështu e kështu. Ky është pozicionimi më i keq. Kështu, më e pakta, ne futim hundët tek tjetri!”
Mirëpo në jetën shqiptare është bërë modë që t’i futësh hundët atje ku nuk të takon: të marrësh në dorë situatën, të brengosesh e të plakesh me hallet e tjetër kujt, tek e fundit të marrësh nëpër gojë tjetrin. Dhe vihet re dendur se pikërisht këto shprehin një psikologji sociale të rënduar, pasi futesh kot aty ku nuk të takon. “Të plakesh me hallet e botës” thotë një fjalë e urtë, e artë, shqiptare. Domethënë të shohësh atë që nuk të përket, të diskutosh për atë që nuk njeh dhe nuk di, të marrësh nëpër gojë e në biseda kafeneje dikë tjetër të largët apo të afërt, kjo nuk ka rëndësi, por ama shpreh një kulturë të ulët dhe një ves. Mirëpo jeta jonë pikërisht me këto mbushet dhe, madje, përjetohet thellë dhe fare kot!
Të futësh hundët tek tjetri do të thotë të shkelësh me këmbë privatësinë e tij, të shkatërrosh lidhjet e ekzistencës reale, të shash e të prozvalësh realitetin e tij, të përgojosh sepse ashtu të pëlqen ty, të ngresh versione që nuk të takojnë, të hedhësh baltë se ashtu të pëlqen ty etj. Po, qoftë edhe të hedhësh baltë është një modë e kohëve të fundit midis kampeve të politikës, në shkrimet gazetareske dhe në opinionet e shprehura fare qartë. Të hedhësh baltë do të thotë të duash të keqen e vendit, të tjetrit, sepse “po të isha unë e keqja nuk do të jetë e keqe, se po të jem unë atëherë ka lezet pranimi në BE dhe në udhëtimin pa viza, se po të jem unë edhe kriza ekonomike nuk është më e tillë, se po të jem unë (nënteksti) edhe Shqipëria nuk është më Zululand!”...
Vërini re diskutimeve dhe opinioneve të shprehura në TV, pavarësisht nga titulli dhe nga formati. është vërtet e tmerrshme se si diskutohet për punën e të tjerëve me raportin e keq midis “është” dhe “duhet”. Unë, nënvizon një folës, këtë punë e shoh keq, prandaj duhet të mos bëhet kjo e ajo, duhet të abrogohet ligji, të mos zbatohet ligji, të mos ndërtohet hidrocentrali, banka të mos japë kredi, të mos e kemi energjinë eolike as atë diellore, të mos ndërtohen rrugë e tunele, sepse (dhe kjo me një fryrje dramatike!) nuk jam unë aty ku duhet të jem! Ju e vutë re pak më lartë se sa thjesht e parashtron këtë raport Abraham Maslou, i cili thotë më tej se këtej buron një qendrim pasionant dhe krejt i sëmurë dhe që ka të bëjë me përvetësimin e interesit anakronik për sundimin e truallit, të kombit, të botës dhe të vetvetes. Sepse vetvetja është e fundit që mund të vihet në sundim. Po nënshtrove tekat e tua, dëshirat e tua të shfrenuara, ëndërrimet e thata e të egra, kotësitë dhe vanitetin, atëherë je në gjendje të sundosh vërtetë botën. Mirëpo në realitetin që përjetojmë ne kjo nuk ngjan e para, por mbetet e fundit, edhe sikur midis nesh dhe realitetit të ketë ndodhur ploja e pandershme për të sunduar.
Më e keqja, shton Maslou, është kur ky raport midis “është” dhe “duhet” ndërtohet me një frazeologji elegante dhe të fryrë, duke e bërë gjendjen vërtet të rrezikshme, sepse fjala e bukur gjithnjë ushtron ndikim dhe ka efekt të fuqishëm. Kështu merr autoritetin e duhur edhe “të futësh hundët në punën e tjetrit”, ta zhbësh atë iksin e ypsilonin që ndërton, të çkishërosh e të anatemosh, të ndryshosh madje edhe realitetin statistikor, të rikrijosh ashtu si e mendon ti ekzistencën prositëse të botës që na rrethon...
#