Ndëshkimi, u pritet rroga gjysmës së drejtorëve të shkollave
Mbyllet shkolla nëntëvjeçare e Gallatës në Rrethin e Kurbinit. Ndërkohë që më shumë se gjysmës së drejtorëve të shkollave në Rrethin e Kurbinit nuk u është dhënë paga mujore, duke iu bllokuar atyre me anë të një urdhri të lëshuar nga Drejtoria Arsimore në Kurbin. Kjo masë ka ardhur pas zbatimit të urdhëresave të dhëna nga Drejtoria Arsimore e Kurbinit të këtyre drejtorëve, ndërsa priten të tjera masa administrative për ata që do të vazhdojnë të mos zbatojnë urdhrat e kësaj Drejtorie dhe Ministrisë së Arsimit. Sipas drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Kurbinit, Pashk Syziu, në radhë të parë një drejtor shkolle duhet të jetë një menaxher i mirë i punëve. Ne kemi kërkuar zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe këtu, urdhëresat janë të detyrueshme për t’u zbatuar si nga unë dhe nga vartësit e mi. Ka ikur koha që drejtorët mund të jenë vetëm formulues të borderove dhe të vendosin emrat e mësuesve për pagesë. Ne jemi në pritje të reagimit të drejtorëve që u është ndërprerë paga dhe nëse ata nuk do reagojnë, ne do të marrim edhe masat administrative të tyre. Puna e tyre përfshin edhe nxjerrjen e orëve të mësimit sipas lëndëve dhe mësuesve, të cilët, sipas ngarkesës që kanë, u bie që të largohen nga puna, nëse ata nuk plotësojnë orët. Këto propozime duhet të vijnë në Drejtorinë Arsimore për të vazhduar më pas nxjerrjen në reformë të mësuesve, të cilët nuk kanë të gjitha orët e mësimit sipas ngarkesës ligjore. Aktualisht, në Kurbin, është mbyllur një shkollë, ajo e Gallatës në Komunën Milot. Kjo shkollë në fillim të vitit ka pasur 56 nxënës, por tani, si rezultat i lëvizjes së banorëve dhe uljes së numrit të nxënësve, ne jemi detyruar ta mbyllim, ku një mësues i cili është pa arsim përkatës është nxjerrë në asistencë, ndërsa dy të tjerë është menduar të sistemohen nëpër shkolla të tjera. Si rezultat i reformës në arsim për këtë vit, pritet të largohen nga puna 33 mësues. Këta mësues janë kryesisht me kontratë dhe janë në të shumtën e rasteve edhe mësues zëvendësues”.
Ndërkohë që drejtues të shkollave, të cilëve u është ndërprerë paga, shprehen se nuk është kompetencë e tyre kryerja e reformave, por e Drejtorisë Arsimore dhe shprehen kundër mosdhënies së pagës. Madje ka drejtorë që i janë drejtuar Ministrisë Arsimit, për shkak të ndërprerjes së pagës, por deri tani, ata nuk kanë përfituar pagën e bllokuar. Asnjëri nga drejtorët që u është bllokuar paga, nuk pranon të prononcohet publikisht me identitetin e tyre, për shkak se sipas tyre rrezikojnë vendin e punës”. Pas burimeve zyrtare nga Drejtoria Arsimore në Kurbin, mësohet se janë rreth 50 shkolla në të gjithë rrethin që përfshin shkollat nëntëvjeçare dhe mesme.
#