E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri këshilla për mjekët e sanatoriumit

Zhvillohet analiza vjetore e spitalit të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”

Urgjenca sa më eficiente, toleranca zero ndaj dukurive korruptive dhe kujdes të veçantë në elementët e komunikimit etik me pacientët. Këto kanë qenë tri detyrat kryesore që ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka kërkuar nga mjekët e spitalit të sëmundjeve pulmonare, “Shefqet Ndroqi”, gjatë analizës vjetore.

“Kjo qendër është poli i dytë universitar që ne kemi, ndaj dhe kërkesat tona do të jenë të mëdha. Urgjencat fiktive janë një indeks që duhet analizuar sa më shpejt. Drejtoria e spitalit, si dhe strukturat përgjegjëse pranë Ministrisë së Shëndetësisë, duhet të gjejnë sa më parë zgjidhje për këtë problem. Nuk ka asnjë kompromis për ata që tentojnë të mos e zbatojnë sistemin e referimit”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Sipas tij, një nga atakimet e mëdha të pacientëve karshi mjekëve është lidhur me etikën e komunikimit dhe se specialistët nuk duhet të pretendojnë që të gjithë pacientët të kenë të njëjtat njohuri mjekësore.

Spitali i mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, është qendra e dytë universitare në vend. Në të regjistrohen rreth 3041 shtrime në vit. Shfrytëzimi i shtratin gjatë vitit të kaluar ka qenë në masën 68.1 për qind. Rreth 7 milionë euro pajisje mjekësore me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj pacientit janë investuar vitin e kaluar në këtë qendër. Ndërkohë, nga ana e drejtorisë së kësaj qendre po merren të gjitha masat për rishikimin e orarit të punës, me qëllim që spitali të jetë i mbuluar në çdo kohë me numrin e nevojshëm të personelit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›