E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e ndërrimit të viteve, urgjencat në gatishmëri

Poliklinikat e të gjithë vendit do të qëndrojnë të hapura 24 orë, ndërsa në qendër të Tiranës, ku do të zhvillohen edhe festimet, do të ketë dy autoambulanca

Bluzat e bardha do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo urgjencë shëndetësore gjatë festave të fundvitit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në takimin e zhvilluar në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, me shefat e shërbimit, u ka kërkuar atyre marrjen e masave të duhura, si dhe gatishmëri për fluksin e mundshëm që mund të paraqitet në qendrat spitalore të kryeqytetit gjatë fundvitit. Poliklinikat e gjithë vendit do të qëndrojnë të hapura 24 orë, ndërsa do të punohet me personel të shtuar. Në qendër të Tiranës, ku dhe pritet të zhvillohen në mesnatë festimet kryesore, do të qëndrojnë dhe dy autoambulanca. “Shërbimi ka marrë urdhër të prerë, të ketë një gatishmëri të përforcuar lidhur me dhënien e këtij shërbimi që nga qendrat spitalore universitare të Tiranës deri te spitalet rajonale. Këto shërbime do të jenë të përforcuara me personel, të tëra farmacitë e qendrave të urgjencës kanë rifreskuar rezervat e tyre për të pasur në dispozicion të gjithë rezervën medikamentoze të domosdoshme. Ka pasur një verifikim të aparaturave të cilat japin ndihmën e parë, në mënyrë që funksionimi i tyre të jetë tërësisht i plotë”, - deklaroi ministri Vasili. Gjithashtu, ai u ka bërë apel të gjithë të sëmurëve kronikë që të kenë kujdes nga mbiushqyerja dhe të rinjtë nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Për më të vegjlit këshillohet që të bëjnë kujdes nga fishekzjarrët, pasi nga përvoja e viteve të shkuara prej tyre janë plagosur shumë persona.“Të sëmurët kronikë të mos largojnë vëmendjen nga shëndeti i tyre. Kujdesi duhet të jetë i njëjtë, pavarësisht nëse është festë. Një përkujdesje të veçantë duhet të tregojnë edhe të rinjtë, të cilët frekuentojnë jetën e natës, por edhe në përdorimin e fishekzjarrëve, pasi ngjarjet e pakëndshme mund të shkaktojë trauma të parikuperueshme”, - theksoi ministri Vasili. Kreu i Shëndetësisë u ka kërkuar vartësve të tij një përforcim të masave, duke parë numrin e lartë të personave të prekur nga virozat e stinës në vend, ku ata që duhet të kenë më shumë kujdes nga moti i ftohtë janë fëmijët dhe të moshuarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›