E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virtuozët e muzikës

Pianisti italian Michele Campanella flet për modelin e profesionistit: artisti që nuk shikon pentagramin dhe harron teknikën, e shijon dhe përjeton muzikën në mendje. Campanella tregon për sfondin muzikor në Evropë në fund të shek. XVIII: pesimizmin e Brahms-it, harmoninë e Liszt-it, fuqinë e Musorgskij-t  

Dy net më parë, pianisti Michele Campanella interpretoi në Teatrin e Operës dhe Baletit pjesë nga Liszt, Brahms, Musorgiskij. Është hera e tretë që Campanella vjen në Shqipëri , kësaj radhe i ftuar i Institutit Italian të Kulturës në kuadër të aktiviteteve "Italia dhe Shqipëria 2010-dy popuj, një det, një miqësi".
"Është krijuar një dialog me publikun shqiptar", thotë pianisti pas koncertit, dhe kjo u vu re edhe në mbrëmjen e koncertit, në qetësinë që pushtoi sallën gjatë kohës së interpretimit, tek portretet e shumëkujt në sallë që shijonte muzikën gri të Brahms-it, harmoninë e Liszt-it dhe tingujt e fortë të Musorgskij-t, tri pjesë të krijuara në 1874.
Campanella e quajti programin një sfond të historisë së muzikës, në tri qendra të rëndësishme të artit në Evropë në vitin 1874: në Gjermani (Brahms), Hungari (Liszt) dhe Musorgskij (Rusi). Ndërsa Brahms-i erdhi i trishtë dhe hermetik në pjesën "Otto Klavierstücke op.76", Liszt-i joshte me notat e ëmbla, melodioze të "Danza Sacra e duetto finale dall'opera Aida di Giuseppe Verdi" në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, skena u gjallërua me "Quadri da un'esposizione" të Musorgskijt, tingujt e fortë, shprehës, "revolucionarë dhe modernë", siç i quajti Campanella.
Përveçse hedh një vështrim në historinë që bënë tre kompozitorët në vitin1874, eksperimentet, kthesat e reja, Campanella flet edhe për raportin e artistit me instrumentin, me teknikat, me psikologjinë e interpretimit dhe atë të komunikimit me spektatorin. "Gjithçka ndodh në mendje", pohon ai.    
Michele Campanella ka një lidhje të ngushtë me një nga tri krijuesit. Ai vetë është një virtuoz i muzikës lisztiane, fitues i çmimeve "Grand Prix du Disque" nga shoqëria "Franz Liszt" e Budapestit në vitin 1976, 1977 dhe 1998; Ministria e Kulturës Hungareze e ka dekoruar me medaljen "Merita Liszt-iane" në vitin 1986, ndërsa "American Liszt Society" i ka dhënë çmim në vitin 2002.
Aktualisht është drejtor i Qendrës së Studimeve për piano "Vincenzo Vitale" pranë Universitetit Suor Orsola Benincasa të Napolit. Anëtar i Akademisë "Santa Cecilia", Akademisë Filarmonike "Romana", Akademisë "Cherubini" të Firences.
Nga viti 2008 është president i shoqërisë Liszt, dhe përfaqësuesi italian i American Liszt Society. 

Z. Campanella, është hera e tretë që pranoni ftesën për në Shqipëri. Çfarë provoni kur ndodheni këtu?
Kur fillon një diskutim, një dialog me publikun e një vendi, duhet ta vazhdosh atë. Edhe pse mund të ketë një shkëputje prej një viti, spektatori e kujton, rikthen atë që ka dëgjuar. Ka një komunikim tani mes nesh. Kështu që është mëkat të hapësh një dialog dhe ta mbyllësh menjëherë. Prandaj është bukur të kthehesh në një qytet ku njerëzit të kanë dëgjuar, të kanë ndjerë, mund ta rikujtojnë dhe ta rindërtojnë bisedën që kanë bërë herën e parë me ty. Unë besoj shumë në vazhdimësinë e një lidhjeje mes një artisti dhe publikut.

Bëni krahasime me herët e shkuara?
Atmosfera që krijohet në publik varet, në pikëpamjen psikologjike, nga salla ku organizohet koncerti. Në Akademinë e Arteve, ku unë kam interpretuar dy herët e para, salla ishte më e vogël, më intime, distancat ishin më të vogla. Kur salla është më e madhe, ka distancë më të madhe fizike dhe psikologjike mes publikut dhe spektatorit. Ky mund të jetë një problem, për krijimin e një situate më të ftohtë. Por kjo nuk ndodhi sonte. Megjithatë, kjo sallë (Teatri i Operës dhe Baletit) nuk i vjen në ndihmë raportit artist-publik. Mendoj se sallat më të bukura janë të voglat, ku njerëzit ndiejnë edhe frymëmarrjen e pianistit. Përjetohet më thellë ajo që ndodh. Duhet të jemi afër artistit, për të kuptuar punën e tij, thellësinë e mendimit të tij dhe shumë gjëra të tjera psikike, jo fizike.

Cili është teatri më i dashur në Itali?  
Admiroj sallat e vogla. Është një teatër, që për mua është më i bukuri i botës "Teatro Scientifico di Mantova", realizuar nga arkitekti i famshëm, Bibbiena, në 1700-ën. Më tepër është një sallon në formën e teatrit. Ato janë përmasa të një salle për të cilën është krijuar muzika. Muzika e Mozart-it,  Haydn-it,Beethoven-it, nuk është krijuar për salla të mëdha.

Me ç'qëllim i hytë punës për programin e sotëm?
Programi ishte si një sfond i historisë së muzikës. Doja të shpjegoja, sesi në të njëjtin moment historik, tre personalitete të mëdhenj në muzikë, shkonin nëpër rrugë krejtësisht  të ndryshme. Brahms-i është një njeri i mbyllur në vetvete. Prezanton njohjen negative të borgjezisë së Evropës Qendrore, që është në kulmin e pushtetit, dhe në të njëjtën kohë fillon të vetëshkatërrohet. Pas Brahms-it vjen Mahler-i, vjen ai pesimizmi radikal. Edhe Brahms-i është pesimist, dhe mbi të gjitha nuk është i hapur në muzikën e tij. Krijon për vete.
Në këtë moment historik, Liszt-i, është kthyer në një profet. Ka qenë një virtuoz i madh, por në 1874-ën nuk është më. Ai hap dyer, krijon hapësirën për muzikën e re. Pjesa që solla sonte është një eksperiment i impresionizmit, që më vonë vazhdohet, nga Debussy. Musorgskij është jashtë gjithë kësaj. Lind si një lule që nuk kuptohet, që nuk merret vesh nga vjen fara e saj. Një revolucion i vërtetë. Muzika e tij është dramatike, tragjike dhe flet për popullin. Nëse Brahms-i flet për veten e tij, Liszt-i flet për muzikën në prespektivë, e shikon muzikën me këndvështrimin historik, Musorgskij flet për popullin rus, për vuajtjet e tij. Deri në këtë kohë, muzika nuk kishte folur asnjëherë për vuajtjet e një populli. Kishte folur për vuajtjet e njeriut, jo të një populli të tërë. E bën akoma për vete publikun sepse është një muzikë moderne, sikur të ishte shkruar sot. Ka një diferencë të thellë mes tri kompozitorëve, janë të tre të mëdhenj, por janë tërësisht ndryshe për nga mënyra e të menduarit të muzikës, për mënyrën e të menduarit se për çfarë shërben muzika, ç'lloj përshtypjesh na jep ajo.

Raporti më i ngushtë është me Liszt-in?
Kam një lidhje shumë të ngushtë. Më duket sikur e kam të afërm (qesh), dikë që e kuptoj shumë mirë. Mendoj se arrij të kuptoj arsyet e krijimeve të tij. Hyj me lehtësi në muzikën e tij, dhe e bëj të mundur që kjo muzikë të kuptohet nga publiku. E kam interpretuar më shumë se të tjerët në numër, por nuk është se kam punuar me këtë kompozitor më shumë se me të tjerët.

Na ra në sy mënyra e veçantë e interpretimit, gati nuk e preknit tastierën? Si e arrini?
Mënyra sesi lëviz duart është shenja e jashtme e asaj që ndodh brenda. Për mua, duart duhet të lëvizin sa më pak të jetë e mundur. Duhet të lëvizin në mënyrë më racionale, më funksionale. Janë edhe ato një instrument, një mjet që më shërben për t'u shprehur. Por, në realitet, i gjithë procesi ndodh në mendje dhe në zemër. Duart për mua nuk kanë pikë rëndësie. Në momentin kur luaj, nuk mendoj se i kam ato. Mendoj vetëm për tingullin, ndjej vetëm atë. Nuk mendoj prekjen e tasteve, por rezultatin e prekjes, tingullin. Mendoj se shumë pianistë shqetësohen shumë për lëvizjen e duarve. Për mua, virtuozi i vërtetë, nuk flas për veten, është ai që e harron teknikën dhe mendon vetëm për muzikën. Virtuozi i vërtetë nuk është ai që luan çdo natë, është ai që ka tejkaluar të gjitha problemet teknike që i dalin rrugës dhe mendon vetëm për muzikën. Për të arritur tek kjo liri, duhet shumë punë. Nuk është gjë e thjeshtë, por që arrihet me pjekurinë. Kam 62 vjet që punoj çdo ditë. Është rezultati i një pune të gjatë dhe intensive. Vetëm kështu mund të arrihet liria. Liria kushton!

Dhe kjo liri të lejon të interpretosh edhe pa pentagram?
Për t'u përqendruar tek tingulli, nuk mund të lexosh. Kjo muzikë nuk mund të interpretohet me një libër përpara, të shpërqendron. Gjithçka ndodh në mendje.

Vazhdon të mbushë sallat e koncerteve muzika e klasikëve?
Patjetër që po. Muzika e tyre vazhdon ende të flasë. Nuk është lodhur.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›