E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi "Skënderbej", Qeveria nis punën pa projekt

Specialistët topografë nisin matjet, për hartimin e projektit të rikonstruksionit të sheshit në qendër



Eduard Shalsi: Në rast se qeveria do të ndihmojë, le të bëjë shpronësimet



Nuk ka vonuar Ministria e Transportit për të ndërhyrë në sheshin "Skendërbej". Menjëherë pas kërkesës së Kryeministrit Sali Berisha për rehabilitimin e sheshit gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e mërkurë, ministria ka nisur punë. Dje në mesditë, specialistë të kësaj ministrie kanë nisur matjet në qendër të sheshit. Ky është vetëm hapi i parë i procesit të punës, më pas këto të dhëna do të përdoren për të hartuar një projekt, mbi bazën e të cilit do të realizohet shtrimi me asfalt i sheshit. Specialistët thonë se matjet do të vazhdojnë për rreth një javë, dhe menjëherë pasi të jetë përfunduar ky proces do të përpilohen edhe preventivet e punimeve, të cilat do të përcaktojnë edhe koston e projektit, për asfaltimin e sheshit.

Tri ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, Ministrit Olldashi ju kërkua që të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej". Nxjerrja sot në shesh e topografëve nuk tregon për një frymë bashkëpunimi mes ministrisë dhe Bashkisë, por përkundrazi një ndërhyrje në punët e bashkisë. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, vetëm tri ditë më parë shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej", në qendër të Tiranës, ndërsa deklaroi se "Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë projekt për sheshin 'Skënderbej' edhe pse qeveria i ka siguruar fondet dy vite me parë". Ndërkohë që projektin për sheshin "Skënderbej", Bashkia e Tiranës e ka miratuar një vit më parë. Ky projekt, sipas Bashkisë, nuk po nis zbatimin e tij, për faj të qeverisë, e cila nuk pranon të shpronësojë një ndërtesë, pranë godinës së INSIG-ut. Sipas Bashkisë, kjo është një pengesë që vetëm sa po zgjat fillimet e punimeve në sheshin "Skënderbej".

Pas vendimit të qeverisë për të nisur asfaltimin e sheshit "Skënderbej" dhe nxjerrjes në terren të topografëve ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi. "Është krejtësisht e pakuptimtë, madje absurde dhe qesharake, që kjo qeveri kërkon të hedhë para, pikërisht pak ditë përpara fillimit të punimeve. Në rast se do të duan të ndihmojnë, le të bëjnë shpronësimet. Por, me sa duket duan të pengojnë, duke bërë asfaltimin", - tha ai. Ai e cilësoi këtë projekt si një ngjarje të madhore për kryeqytetin dhe frytin e një bashkëpunimi me partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë financuar projektin.
Fondi për rikonstruktimin e sheshit "Skënderbej" është akorduar dy vite më parë nga qeveria e Kuvajtit, një shumë kjo prej 10 milionë dollarësh.

Duke qenë se çështja financiare është në rregull dhe projekti është gati qe prej një viti, puna në shesh duhej të kishte nisur. Por, pengesë mbetet ndërtesa e pa shpronësuar. Në këto kushte Bashkia e Tiranës ka gjetur një tjetër zgjidhje. Më parë ka rikonstruktuar akset rrugore që do të ndihmojnë trafikun, gjatë kohës që do të kruhen punimet në shesh. Aktualisht fillimi i punimeve në sheshin "Skënderbej", nga ana e bashkisë është çështje ditësh. Pas përfundimit të punimeve në rrugën "Abdi Toptani" pritet që të përfundojnë rikonstruktimet edhe në rrugët "Urani Pano", "Bardhok Biba", si dhe në rrugën pas Pallatit të Kulturës.

Precedentë
Konflikti për "Zogun e Zi"

Sheshi "Skënderbej" nuk është konflikti i parë dhe i vetëm mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Pesë vite më parë këto dy palë u gjendën përballë njëra-tjetrës për një tjetër vepër publike, mbikalimin e Zogut të zi. Një projekt i nisur nga Bashkia e Tiranës, që u shemb nga qeveria. Në dhjetor të vitit 2005, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, kryeministri Sali Berisha vendosi sot të anulojë ndërtimin e mbikalimit të zogut të zi dhe të prishë të gjitha punimet që ishin kryer. Ky vendim erdhi pas disa muajsh polemikash të ashpra mes ministrisë së Transporteve dhe bashkisë së Tiranës, të cilat kishin sjellë bllokimin e punimeve. Sipas një grupi ekspertësh të Këshillit të Rregullimit të territorit të asaj kohe, mbikalimi në një prej nyjave më problematike të kryeqytetit nuk ishte i nevojshëm, pasi nuk vërtetohej se shkaktonte pengesa në trafik, si dhe u konsiderua një projekt me rrezikshmëri të lartë. Kryeministri kërkoi që policia ndërtimore të çojë për ndjekje penale edhe firmën ndërtuese dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në atë që ai e cilësoi një krim urbanistik, duke u shprehur se projekti në çdo germë të tij pikon korrupsion.

Konflikti për truallin në qendër të Tiranës

Përplasja tjetër mes qeverisë dhe Bashkisë ndodhi në muajin nëntor 2009. Molla e sherrit kësaj radhe ishte një truall në qendër të Tiranës. Ministria e Transporteve "mori nën mbrojtje" këtë truall që prej vitesh ishte cilësuar si një shesh ndërtimi, dhe e shndërroi në një lulishte. Argumenti i Olldashit ishte se toka ishte futur në fondin e Agjencisë për kthimin dhe kompensimin e pronave që në 2007-ën. Në këtë rast, qeveria nuk mori parasysh as dokumentet e paraqitura nga Administratori i përgjithshëm i Bashkisë, Dritan Agolli, të cilat vërtetonin se trualli ishte në pronësi private të Komunitetit Mysliman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika, e vërtetuar me Certifikatë Pronësie. Ndërsa vetë kryeministri Sali Berisha, nuk mbështeti asnjë nga palët dhe deklaroi se trualli do të shitej, me një vlerë prej 2000 € (mijë euro) metrin katror. Shuma që do të përfitohej nga kjo shitje përllogaritet të kapë shifrën e 112 milionë euro, dhe u premtua që do të kalojë për kompensimin e pronarëve.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›