Gjykata i dënoi me 43 vjet burg në total pesë shijakësit e 450 kg heroinë

VENDIM
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet në aplikim të gjykimit të shkurtuar dhe pasi dëgjoi konkluzionet e prokurorisë dhe pretendimet e mbrojtjes si dhe fjalën e vetë të pandehurve të kësaj dosje, vendosi t'i deklaroi fajtor pesë shijakaset për "trafik të lëndëve narkotike" në bashkëpunim më shumë se njëherë duke i dënuar në total me 43 vjet heqje lirie. Ky vendim i togave të zeza u dha mesditën e djeshme, vetëm pak minuta pasi avokatët mbrojtës lexuan pretendimet e tyre përfundimtare për akuzat e ngritura nga prokuroria, duke kërkuar pafajësi për të pandehurit. Kështu, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Luan Hasneziri pas shqyrtoi dosjen penale në ngarkim të pesë të pandehurve, vendosi t'i deklaroi të pafajshëm për akuzën e "grupit të strukturuar kriminal", duke i deklaruar fajtor vetëm për kryerjen e veprës penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim më shume se njëherë. Sipas vendimit me nr.10, i pandehuri Alket Hatia i cilësuar si organizatori i këtij rrjeti në aplikim të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 10 vjet e 6 muaj burg. Ndaj të pandehurit Hekuran Hoxha i njohur si "Roni" gjykata dha vendimin e dënimit të tij përfundimisht me 9 vjet e 3 muaj burg.
Për dy të pandehurit Fatbardh Hoxha dhe Mentor Shehu gjykata vendosi dënimin e tyre me nga 8 vjet burg secili. Ndërsa për të pandehurin Sajmir Gjepali gjykata vendosi dënimin e tij përfundimisht me 7 vjet e 3 muaj burg. Për të gjithë të pandehurit, kjo masë dënimit erdhi në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke fituar uljen e 1/3 e dënimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Edhe prokurori i çështjes Edvin Kondili në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi caktimin e masave të dënimit edhe për kryerjen e veprës penale të "grupit të strukturuar kriminal". Sipas vendimit të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme kanë organizuar dhe trafikuar brenda 12 muajve, gjatë vitit 2003-'04, nga Shqipëria në Itali 450 kg heroinë. Mësohet se sasia e 450 kg heroinë e sekuestruar në Itali, është nisur nga Shqipëria në 13 episode dhe me sasi të ndryshme nga 12 kg deri në 70 kg heroinë për çdo rrugë. Droga fshihej në pjesë të ndryshme të makinave me të cilat udhëtonin korrierët, kundrejt pagesave të ndryshme. Sipas pretencës së përpiluar në 156 faqe të pandehurit siguronin drogën nga vendet e lindjes, nëpër Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë ose Shqipëri dhe më pas nisej drejt Italisë.