Çani e kalon klasën!
Petrika GROSI
Pas ftesës të mikut dhe kolegut tim Arian Çani, ndonëse me disa minuta vonesë, arrita me një frymë para Teatrit të Metropolit, ku drejtori Kiço Londo më shoqëroi deri tek salla pa humbur kohë. Shfaqja (one man show) “Ej, mos i thuaj njeriu”, për fat të keq kishte disa minuta që kishte filluar... Nuk mund ta mohoj një farë skepticizmi të lehtë që e ndieja gjatë rrugës, teksa po drejtohesha për në teatër. Megjithatë, sapo hyra brenda Çani më ftoi të ulesha në një vend dhe mjaftuan vetëm pak çaste për ta ndier atmosferën që vetëm ai di ta krijojë... Magjia e ekranit tashmë ishte shndërruar në tërheqje të skenës, them tërheqje, duke mos dashur të krijoj përshtypjen e një superlative që mund ta shkaktonte fjala “magji”. Salla prej 120 vendesh ishte thuajse e mbushur plot me të rinj, të cilët nuk i kisha parë ndonjëherë kaq shumë dhe kaq të interesuar gjatë gjithë këtyre viteve për ndonjë shfaqje teatri, opere apo baleti në Tiranë (me përjashtim të kinemasë dhe koncerteve). Ndoshta një pjesë e mirë e tyre për herë të parë hynin në sallën e një teatri të mirëfilltë, pa pyetur as për biletën që kushtonte 500 lekë. Megjithëse supozim relativ që përmban dozën e natyrshme të subjektivizmit një shembull i tillë tregon se si fama e një individi dhe një gjini alternative e teatrit mund të shërbejnë shumë më mirë se dhjetëra politika të institucioneve qeveritare në funksion të artit dhe kulturës, duke e tërhequr në masë publikun më të vështirë, skeptik e njëherësh të brishtë dhe tekanjoz siç konsiderohet rinia (mosha 20-30 vjeç). Madje të rinjtë ishin aq të përpirë nga shfaqja, sa dukej që nuk u bënte përshtypja as prania e Çiljetës dhe Ingrid Gjonit, të cilat ishin ulur diku atje, te reshtat e fundit të sallës dhe ndiqnin Çanin, duke bërë dhe ndonjë koment herë pas here. Për të ardhur keq është në fakt është ajo që ndodh gjithmonë me teatrin dhe artin shqiptar në përgjithësi; mungesa e shkrimeve, kritikave në media, pozitive a negative qofshin, sepse reklamat dhe intervistat bëhen për gjithçka e për këto, me vend e pavend, të vlefshme e të pavlefshme, të gjitha para shfaqjeve, për të vijuar me intervista boshe pas premierave, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse vetëkënqin të ashtëquajturit protagonistë. E pra, do kritikë arti që na kanë mbetur, ndoshta mund të kishin thënë fjalën e tyre edhe për këtë shfaqje, por kjo nuk ka ndodhur. Më kujtohet këtu një shprehje, në mos gaboj, e shkrimtarit Erih Maria Remark: “Të bërtasësh është njësoj si të heshtësh dhe të heshtësh do të thotë të jesh i çarmatosur...” Dhe gjithë e Keqja mendoj, qëndron pikërisht këtu, te kritika jonë që nuk ka armë fare; as bërtet dhe as hesht, ka frikë qoftë edhe nga një pëshpëritje ndër buzë nëpër ato tavolinat e vogla ku njerëzit mediokër, “artistucët” e “gazetarucët” vegjetojnë e rrufisin kafe gjithë kohës, në të njëjtat orë, në të njëjtat vende, përditë, pafund e pa u lodhur, duke zmadhuar njeri-tjetrin, e duke u ngjitur krejt pa baza, me një delir ekstrem, në lartësi që gati-gati ke frikë t’i imagjinosh, e jo më pastaj, t’i marrësh për një çast si të mirëqena. Pa qenë studiues arti, as ndonjë prof.dr. apo kritik “i njohur”, mendoj se nuk mund të rri pa shfaqur mendimin tim sado relativ e subjektiv qoftë në lidhje me shfaqjen që pashë parmbrëmë. Sa i takon lëvizjes në skenë, plastikës, pozicionimit dhe rritmit të komunikimit natyrisht që mund të bëhej më shumë, por duke pasur parasysh përvojën e Çanit dhe të mosqenurit të tij një aktor i mirëfilltë, mund të thuhet pa më të voglin hezitim se sprova është hedhur tej, madje me sukses të plotë. Çani komunikon me sallën sikundër vepron nga ekrani me spektatorin e tij, duke shkaktuar emocione, përjetime, të qeshura apo edhe skuqje të atyre fytyrave më të ndrojtura. Megjithatë, si një progresion aritmetik, subjekti i historisë së tij përshkallëzohej, analizonte e ironizonte, fantazonte, derisa shpërthente me një finale, gjatë së cilës publiku binte në meditim, e më pas në delir të plotë. Gjëra të vogla të përditshme që duken qesharake Çani di t’i shndërrojë në serioze, ashtu si gjëra serioze në dukje, ai i servir natyrshëm, në këndvështrim origjinal, shumë më pak tragjike nëpërmjet humorit. Kisha përshtypjen se ai edhe improvizonte gjatë shfaqjes dhe këtë mendim ma konfirmoi regjisori Çuli, të cilin e përshëndeta kalimthi teksa po largohesha nga teatri dhe e pyeta pikërisht për këtë gjë, duke thënë se Çani është një improvizues i hatashëm, impresionant. Si përfundim, vlen të theksohet dhe diçka tjetër; Për herë të parë kemi të bëjmë me një shfaqje interaktive, ku protagonisti në skenë, komunikon gjatë gjithë kohës me publikun në sallë. Pra, ai e ka bërë evoluimin e tij drejt skenës, aktrimit dhe në të ardhmen, padyshim mund të ofrojë shumë më tepër. Spektatori zbret shkallët e teatrit me një shije të mirë, pasi ka përjetuar emocione, ka qeshur, e pse jo, mes të tjerash ka kryer edhe një gjimnastikë të mendjes. Si përfundim, nëse do të më kërkohej një vlerësim i sinqertë, përgjigja do të ishte: “Çani e kalon klasën!”
29 Maj 2009