Visar Zhiti rrëfen gjyqin: Si më dënuan për poezitë
Botohet Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin
Seanca gjyqësore në Kukës, akuzat, aktekspertiza dhe mësuesit-dëshmitarë.
Ngjarje që sdo të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg. Kështu shkruan në krye të librit të tij Visar Zhiti. Rrugët e ferrit Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë, kështu titullohet libri i sapobotuar i shkrimtarit dhe poetit, i cili ka provuar mbi shpatulla 10 vite të gjata në burgun e Spaçit. Një libër rrëqethës, botim i shtëpisë botuese OMSCA-1, që zë fill qysh në ditën e arrestimit, në përvjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, 8 nëntor, për të ndjekur ditë pas dite rrathët e ferrit dantesk, nga hetuesia në gjyq, në Spaç, në minierë, duke shtyrë vagonët me mineral. Një libër që përshkruan gjithë makthet që mund të kalonte një i dënuar për agjitacion e propagandë, në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në rreth 570 faqe libër, të cilat të shtyjnë njëra pas tjetrës të lexosh edhe më, edhe më rrëfehen ngjarje, ndjesi, përshkrime dhe personazhe, të cilat në të gjitha rastet janë reale. Janë të njohur e të panjohur, që nga fëmijët e ish-bllokmenëve të dënuar, tek shkrimtarët, piktorët, hetuesit, gjyqtarët, prokurorët, policët… Por gjithçka e shkruar bukur dhe me një humanizëm të thellë. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën ti ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit XX, degjeneruan në një tirani të përditshme, shprehet për librin shkrimtari dhe botuesi anglez, Kevin Higgins. Nga ky kalvar kemi shkëputur një pjesë (me shkurtime) nga njëri prej momenteve më të ankthshëm, gjyqit. al.mi
GJYQI I HAPUR
I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin ti largoheshin si të yshtur

Visar Zhiti në burgun e Spaçit
nga një e keqe. Skisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, si duroja dot dënimet.
I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë të hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende skishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm. Citatet pushtonin tërësisht ballinën, me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala armik sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo….
Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne, dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht…
Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra, të dëshpërimit të gëzueshëm…
Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade… Mua po më qartësoheshin pamjet, por spo gjeja familjarët e mi mes atij anonimati. Kërkoja, kërkoja. Shiko, më thanë dhe policët. Ah, sjanë! Më mirë. Salla plot. Dhe midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth. Ngri-shkri është dhe një lojë, më duket.
E përfytyrojnë dot ata mësuesin armik? Unë armik?! Sa më kanë dashur! Të mos i zhgënjej. Armiku është tjetër lloj, tjetër gjë. Do tua tregoj dot? E kuptoj tronditjen e tyre… skanë për të harruar… a do të di të rri së fundmi në kujtesën e tyre ashtu siç duhet? Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës. Smë interesonin tani.
- Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët. Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë…
Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:
- Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?
- Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.
- Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. Sduhej të dukesha krenar.
- Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që sishte dot i lartë, dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin. – Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por sduhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time.
- Po, po, njëlloj është, – përsërita. Kërkova diçka për të shkruar, e pabesueshme, u bë një rrëmujë e vogël, policët lëvizën armët. Dikush nga salla u ngrit, zgjati një laps, jepjani, tha gjykatësi, e mori njëri nga policët, ishte i mprehur mirë, pashë karikaturistin e qytetit, me profilin alla-Pushkin, ai ka lapsa të tillë. Pranë tij shkrimtari Ferhat Cakaj, me kostum të përzishëm.
Gjykatësi tregoi procedurën dhe urdhëroi të më hiqeshin prangat menjëherë. Polici hapi me çelës drynin e prangave të mia, të madh sa të dyerve. Nuk desha ti çmpija duart. Mbi lëkurë pashë vragën e thellë të hekurit dhe një njollë të zezë në mëngën e këmishës.
Se di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua. Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin. Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye. Në të vërtetë gjyqtari dhe prokurori ishin dy ndihmësit e atyre shkrimtarëve që me kohë më kishin hedhur në radhët e armiqve…
Armik i rrezikshëm, po bërtiste duke parë shtrembër nga unë. Gjyshi i pasur, xhaxhain të vrarë nga Partia edhe ky atë rrugë do të merrte, të xhaxhait dhe të të atit. Unë jam brezi i tretë që goditet, më xixëlloi djegshëm ky mendim. Këta sngopen. Tani do të jenë