Vit elektoral, përgatitet LDK-ja

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur kryesinë e partisë.
Dhe ky nuk ishte takimi i vetëm i organeve të kësaj partie. Po ashtu janë takuar kryetarët e degëve me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Tema e takimeve ka qenë mbajtja e zgjedhjeve lokale në vend.
Mustafa ka propozuar formimin e disa mekanizma, të cilët do të ndihmojnë dinamizimin e punës në të gjitha degët e LDK-së, për të sensibilizuar elektoratin e LDK-së dhe qytetarët në përgjithësi për të votuar LDK-në në mënyrë sa më masive.
Gjatë takimit është vendosur se kryetarët e degëve do të punojnë në terren në baza ditore, ndërsa takimet e kryetarit Mustafa me drejtuesit e degëve dhe me qytetarët do të jenë edhe më të shpeshta, njofton LDK.
“Kryetari i LDK-së ka kërkuar punë dhe përkushtim, që LDK-ja të jetë parti e parë në zgjedhje, që të drejtojë komunat e vendit, për të rikthyer sundimin e ligjit dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, kryetari Mustafa ka kërkuar që të rinjtë dhe femrat të përfshihen sa më shumë në këtë proces dhe që strukturat e degëve të LDK-së të krijojnë hapësirë për të gjithë ata që duan të punojnë me LDK-në, për qëllimin e përbashkët, fitoren në zgjedhje”, përfundon njoftimi./Indeksonline/