E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vit i vështirë për demokratët

Ekspertët politikë thonë se vitit 2010 mund të jetë një vit i vështirë për presidentin amerikan, Barack Obama dhe ligjvënësit demokratë në Kongresin amerikan. Shumica e analistëve parashikojnë se republikanët do të arrijnë të fitojnë më shumë vende në zgjedhjet e nëntorit për Kongres. Ata thonë se popullariteti i presidentit dhe reforma në shëndetësi do të jenë çështjet kryesore të fushatës. Në shtetin e Nevadës, zhvillohet takimi i përmuajshëm i Klubit Demokratik, në afërsi të Las Vegasit. Kandidatët vendorë bëjnë thirrje për mbështetje.

Disa nga demokratët këtu, si John Punticello janë të shqetësuar për shkak të rënies së popullaritetit të presidentit Obama.

Ka renë mbështetja kudo në Amerikë dhe po ashtu edhe në shtetin e Nevadës.

Të tjerë, si Tracy Lawrence, shohin lajme pozitive për demokratët dhe presidentin.

“Megjithëse reforma shëndetësore nuk ishte gjithçka që dëshironim, ajo është një hap përpara. Mendoj se mbështetja për të do të fillojë të shtohet. Presidenti arriti ta miratojë ligjin ndërsa shumë njerëz menduan se ai nuk do t’ia arrinte”, thotë Lawrence.

Drejtuesi i programeve radiofonike në Las Vegas, Sir Cooper thotë se demokratët duhet të dalin nga apatia ndërkohë që afrohen zgjedhjet.

“Nuk janë aq të fuqishëm sa do të doja të ishin. Kur republikanët duan diçka, i vihen me këmbëngulje. Ata nuk duan t’ia dinë për asgjë që ju del përpara”, thekson Cooper.

Por situata ishte ndryshe në mesin e republikanëve, të mbledhur dy ditë më vonë për të dëgjuar komentatorin konservator të radios, Roger Hedgecock.
Republikania Sharron Angle po kandidon për një vend në senatin amerikan dhe synon të verë presidentin Obama në qendër të fushatës së saj.

“Gjithçka që presidenti Obama ka bërë që kur erdhi në Shtepinë e Bardhë, ka qenë në dëm të bizneseve të vogla, për punonjësit, për të gjithë ata në Amerikë që duan rikthimin e një qeverie që respekton kushtetutën”, thotë Angle.

Kjo porosi është e qëlluar për investitorin e naftës, Stan Pullen. Ai është i pakënaqur me planin shëndetësor të presidentit Obama dhe thotë se politikanët në Washington nuk po e dëgjojnë.

“Është e pamundur kur përfaqësuesi dhe ligjvënësi i zonës time voton në favor të ligjit kur shumica e amerikanëve nuk e duan atë. Është si të thuash ata e dinë më mirë çfarë duhet të dua unë”, thotë Pullen.

Lëvizja Tea Party e cila zhvilloi një miting kohët e fundit në Nevada, është intriguese për Stan Pullen dhe republikanë të tjerë.

Konservatorët e vijës së ashpër e kanë presidentin Obama objektivin e tyre kryesor.

“Gjëja e parë që do të bëjë është të hedh në gjyq qeverinë për ta ndaluar reformën shëndetësore”, shton Pullen.

Përkrahësi i lëvizjes Tea Party, Harris Holler, thotë se republikanët duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj lëvizje.

“Nëse ata nxjerrin kandidatë që të na përfaqësojnë, ndoshta do të marrin votat tona.

Por çështja kryesore në Nevada dhe në mbarë vendin është ekonomia”, thotë analisti David Damore.

“Mendoj se fushata do të jetë për vendet e punës dhe gjendjen e ekonomisë këtu në Nevada. Ne kemi këtu papunësinë më të lartë në nivel kombëtar”, shton ai.
Ekonomia e dobët kombëtare ka dëmtuar turizmin në Las Vegas dhe republikanët po betohen se në nëntor votuesit do të preferojnë ata në zgjedhjet që zhvillohen për Kongres dhe senat. (VOA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›