Që turizmi të zëvendësojë ndërtimin
Në vitin 2000, Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi në Shqipëri një rritje reale prej 7% krahasimisht me vitin e mëparshëm..Ndërkohë, në të njëjtin vit, prodhimi bruto i sektorit të ndërtimeve pati një rritje spektakolare prej 47%. Dhe, kjo ishte një rritje jonominale – pra, e llogaritur duke i konsideruar çmimet të pandryshuara. Në vitet që pasuan Shqipëria vazhdoi të ishte një kantier i madh ndërtimi, i cili realizoi një rritje mesatare vjetore prej 18%, ndërkohë që ekonomia shqiptare në tërësi pati një rritje mesatare vjetore prej vetëm 6%.
Në rritjen spektakolare të sektorit të ndërtimit kanë ndikuar disa faktorë, ndër të cilët njëri është nga më të rëndësishmit - ndërtimet pa plan e pa leje. Në zonat urbane dhe në pjesën dërrmuese të plazheve tona, edhe kur është ndërtuar me leje, nuk ka pasur plane rregulluese tërësore. Ndërkohë, ndërtimet pa leje ose ato që i tejkalojnë lejet e marra, përbëjnë ndoshta gjysmën e volumit të ndërtimeve të realizuara gjatë dekadës së parë të mileniumit të tretë.
Politikanët e të gjitha ngjyrave dhe niveleve e kanë lejuar, për të mos thënë se e kanë nxitur, aktivitetin gjysmë legal ose ilegal në fushën e ndërtimeve, duke e parë atë si një motor që vinte në lëvizje të gjitha ingranazhet e ekonomisë shqiptare dhe që pasuronte përkrahësit e klientët politikë. Por, tremujori i katërt i vitit 2009 tregoi se këtij motori po i mbaron karburanti - sipas INSTAT-it, ndërtimi, për herë të parë që prej vitit 1998 shënoi rënie krahasimisht me një vit më parë. Dhe, rënia ishte dramatike - plot 14.4%. Ndërkohë, sipas FMN-së, investimet private e publike në Shqipëri do të tkurren ndjeshëm në vitin 2010 e në vazhdim.
Në kushtet kur ndërtimi nuk mund të vazhdojë të luajë më rolin e motorit të ekonomisë, është e rëndësishme të stimulohet ai sektor që ka potencialin t’i zërë vendin ndërtimit në këtë rol. Orientimi i ekonomisë për eksport është një nga alternativat, sidomos pas zhvlerësimit të lekut. Por, eksporti i mallrave ka një peshë shumë të vogël në ekonominë shqiptare - ai mbulon vetëm çerekun e importeve dhe nuk përbën as 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo, sepse konkurrenca ndaj eksporteve tona është shumë e fortë. Kostoja relativisht e ulët e fuqisë punëtore shqiptare nuk konkurron dot me koston e ulët të punës në Kinë, Vietnam, Indi, Bangladesh etj. Si rezultat, shumë nga punishtet shqiptare që prodhonin mallra me porosi për tregun italian e grek janë mbyllur tashmë.
Bujqësia shqiptare, në kushtet e fragmentarizimit të skajshëm të tokës dhe paqartësisë legale të pronësisë mbi të, do të mbetet edhe për ca kohë pothuajse në nivelin e vetësigurimit të ushqimeve për bujqit. Ndërsa industria shqiptare e ka të vështirë të konkurrojë me importet që vijnë nga vendet fqinje.
I vetmi sektor që jep një shpresë për t’u bërë motor i ekonomisë shqiptare, është ai i turizmit. Po që turizmi të luajë rolin që luajti ndërtimi në dekadën që shkoi, duhet që prishja e bregdetit, rrugëve dhe urbanistikës së qyteteve tona të mos vazhdojë me ritmet e derisotme.
Kështu, në qoftë se bregdeti i Jonit dhe ai i Adriatikut verior do të betonohet si gjiri i Durrësit, nuk mund të presësh një rritje të ndjeshme e të qëndrueshme të turizmit. Ai do të mbetet thjesht në kufijtë aktualë të turizmit patriotik - pra hotelet, apartamentet, restorantet dhe baret bregdetare do të vazhdojnë t’i frekuentojnë kryesisht shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Greqisë, Italisë, Zvicrës, Gjermanisë etj. Ndërkohë, shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, do të frekuentojnë gjithnjë e më tepër pika turistike jashtë vendit, si në Mal të Zi, Turqi, Greqi etj.
Fatmirësisht, ekzistojnë studime tërësore për zhvillimin e bregdetit të Jonit, si dhe të Gjirit të Lalzit e të Lezhës. Ndërkohë, ndërtimet pa leje e pa plan në këto zona, me pak përjashtime, nuk kanë arritur pikën kritike të humbjes së shpresës për zhvillim normal të turizmit. Ka ardhur pra, koha për fillimin e një fushate spastrimi të ndërtimeve pa leje në zonat e sipërpërmendura, për të hapur kështu rrugën e zbatimin të shpejtë të studimeve të miratuara për to.
Një kusht tjetër për zhvillimin normal të turizmit janë edhe rrugët e mira e të sigurta. Dhe, rrugë të mira janë ndërtuar e po ndërtohen në Shqipëri, por ato nuk janë të sigurta. Shkak kryesor për pasigurinë e rrugëve shqiptare është ndërtimi i banesave dhe objekteve tregtare fare pranë tyre. Për shembull, në autostradën Durrës-Kukës, dikush kishte prishur rrjetën e telit që mbronte rrugën nga rrëshqitjet e dheut apo rënia e gurëve, dhe kishte gërmuar malin për të ndërtuar pa leje një pikë karburanti atje!!!
Në qoftë se duam që turizmi të kthehet në motorin e ekonomisë shqiptare, duhet të fillojmë një ditë e më parë spastrimin e atyre ndërtimeve pranë rrugëve kombëtare që rrezikojnë sigurinë e njerëzve që udhëtojnë në to. Ndërkohë, duhen ndërtuar mbikalime e nyje të përshtatshme rrugore, në mënyrë që trafiku lokal i automjeteve dhe këmbësorëve të mos kthehet në një rrezik për trafikun kombëtar.
Së fundi, zhvillimi normal i turizmit kërkon që qytetet kryesore shqiptare të kenë një urbanistikë normale. Që të realizohet kjo, është më se urgjente të miratohen planet rregulluese të qyteteve, për të ndaluar kështu betonizimin e pafre të tyre. Ndërkohë, duhen prishur ato ndërtime pa leje që nuk janë futur në rrugën e legalizimit.
Kuptohet që zhvillimi i zonave turistike sipas planeve të studiuara mirë, përmirësimi i trafikut rrugor dhe normalizimi i urbanistikës së qyteteve kryesore, nuk janë kushte të mjaftueshme për të siguruar një rritje të qëndrueshme të turizmit. Por, ato janë më se të domosdoshme...