E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vitalij Çurkini në rolin e Gjeneralit Protakov

Në vitin 1993 Vitalij Çurkini nuk kërkonte ngritjen e ndonjë komisioni faktmbledhës, por i besonte vetëm versionit të Millosheviçit, të cilit dukej se po i shkonte mirë kungulli mbi ujë.

Ngritja e një komisioni faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit për të rishikuar gjendjen në terren, pas dorëzimit të planit të Marti Ahtisarit për
Kosovën, paraqet një precedent dhe atë një precedent të rrezikshëm. Ky komision mandatohet të verifikojë gjendjen në terren, të cilën tash e tetë vjet e qeverisë vetë kjo organizatë botërore me anën e një Përfaqësuesi Special. Përfaqësuesit Special të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, kanë raportuar rregullisht në Këshillin e Sigurimit për gjendjen në Kosovë. Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka paraqitur para Këshillit të Sigurimit raporte periodike për gjendjen në Kosovë. Është menduar se këto tetë vjet ato raporte kanë shërbyer për planifikimin e politikave të administrimit të Kosovës. Nëse tash ato raporte janë jovalide për ta kuptuar gjendjen në Kosovë, kjo shkon në favor të skeptikëve që kanë thënë edhe më herët se OKB-ja nuk ka pasur kurrfarë politikash të planifikuara të administrimit, veçse ka administruar në stilin e Xhon Troshlerit, duke iu përmbajtur titullit të filmit “Nxëmë po munde”. Por, kjo tashmë ka të bëjë me të kaluarën.Ndërsa me të tashmen ka të bëjë rreziku që mund të paraqesë raporti otencial i komisionit faktmbedhës. Po qe se ai raport do të ishte negativ, pra, nëse do të konstatonte se Kosova nuk është e përgatitur as për atë pavarësi të mbikëqyrur, kjo do të zhvleftësonte planin dhe propozimin e Marti Ahtisarit. Ndërsa, në atë rast, gjërat do të riktheheshin në pikën
fillestare, e cila ka qenë pikë e konfliktit serbo-shqiptar për Kosovën.

Meqë llogaritet se potencialet e këtij konflikti sot janë më të mëdha se ato të viteve 1998- 1999, kjo do të thotë se rreziku tash është që konflikti të destabilizojë jo vetëm Kosovën, po edhe Serbinë (Lugina e Preshevës, Vojvodina, Sanxhaku) po edhe mbarë rajonin (Maqedoninë e Shqipërinë). Prandaj, komisioni faktmbledhës, jo vetëm që ka qenë i panevojshëm, por ngritja e tij është edhe e rrezikshme, për situatën edhe ashtu të rënduar në Ballkan nga mbetja e nacionalizmit serbomadh në kuotat e Millosheviçit e të Sheshelit.

Logjikisht shtrohet pyetja: mos ndokush e ka mendjen që vërtet ta rikthejë Ballkanin në kaos? Në këtë mes, sponsori i kërkesës për ngritjen e këtij komisioni, Rusia, mbetet krejtësisht e zbuluar. Duket se synimi i saj është që të ruajë gjendjen e jostabilitetit në Ballkan, në mënyrë që ta rikthejë disi influencën e vet në rajon dhe nga ana tjetër që ta mbajë NATO-n të gozhduar në këtë rajon, për të mos e pasur më afër me të gjitha potencialet që ka kjo aleancë, e dizajnuar që të përparojë drejt kufijve rusë.Përveç këtij kalkulimi morbid gjeopolitik, Rusia ka edhe një përvojë gllabëruese ndaj tokave shqiptare. Rusia është e dresuar nëpër histori që tokat shqiptare t’i gllabërojë për hesap të këlyshëve të vet sllavojugorë. Ashtu ka bërë kur është themeluar Mali i Zi si shtet. Ashtu e pati projektuar Bullgarinë me Paqen e Shën Stefanit në vitin 1878. Ashtu ia pati arritur ta ngre edhe shtetin serb në vitin 1878, në një pjesë të madhe të
tokave shqiptare. Ashtu pati bërë edhe kur me gazep u krijua Shqipëria në vitin 1912, kur Komisioni i kufijve, të cilin e ngriti Konferenca e Londrës, në vitin 1913, udhëhiqej nga gjenerali rus, Protakov. Ky gjeneral famëkeq
dhe faqezi, pati caktuar kufirin ndërmjet Serbisë e Shqipërisë në Dibër, në bazë të rrezes së veprimit të topit! Pra, qyteti i Dibrës u fut në Serbi dhe iu caktua një zonë mbrojtëse disakilometërshe (gjashtë ose dhjetë kilometra), aq sa ishte atëherë rrezja e veprimit të topit. Sipas kësaj logjike të caktimit të kufijve, i bie që po të kishte qenë rrezja e veprimit të topit tridhjetë kilometra, gjenerali rus do të kishte vendosur kufirin në Mat!

Pra edhe Vitalij Çurkini si pasues i kësaj mendësie pansllavsite dhe antishqiptare, e ka hallin si ta përmbys realitetin dhe të caktojë statusin e Kosovës sipas shijes së pansllavizmit.

Në Kosovë Çurkini mbahet mend për të keq edhe kur pati ardhur si zëvendësministër i jashtëm i Rusisë në vitin 1993 dhe i pati ofruar Ibrahim
Rugovës “shërbimin e mirë” që nga zyra e këtij të fundit të niseshin bashkë me helikopter dhe të shkonin në zyrën e Millosheviçit. (Nga gjërat e mira të politikës së Rugovës, të cilën disa nga qeveritarët e sotëm nuk e kanë para sysh, ka qenë refuzimi i tij konstant ndaj Rusisë. Nuk pati pranuar të bënte as vizitë në Rusi, madje as të takonte Jelcinin. Deri sa e patën mbajtur peng lufte dhe për hakmarrje e takuam edhe patriarkun rus, Aleksej. Por ato veprime nuk ishin në dorën e tij.) Në vitin 1993 Vitalij Çurkini nuk kërkonte ngritjen e ndonjë komisioni faktmbledhës, por i besonte vetëm versionit të Millosheviçit, të cilit dukej se po i shkonte mirë kungulli mbi ujë.

E mira e punës është që komisionin faktmbledhës të Këshillit të Sigurimit, sado që ishte dhe është krejt i panevojshëm, do ta udhëheqë ambasadori i Belgjikës, i cili duhet ta ketë shtëpinë jo fort larg selisë së NATO-s në
Mons. Po të mos ishte Monsi, sa për Rusinë, kufijtë sërish do të vizatoheshin sipas apetiteve të Serbisë përkatësisht sipas rrezes së
veprimit të topit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›