E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi; “Kurban” i lojës

Zgjedhjet Vendore të 18 shkurtit në Shqipëri, u pasuan nga zhvillime të shumta politike, burim i së cilave ishte fushata elektorale parazgjedhore. Një shkëmbim duarsh midis kryeministrit Sali Berisha dhe pararardhësit të tij në detyrë, Fatos Nano, bëri që çdo gjë të ndryshonte drejtim. Deklarata e përbashkët e tyre, duket se arriti të ulë në tryezën e bisedimeve edhe atë që dukej si një ndër më të pabindshmit e këtij problemi, Edi Ramën.

Ishte ky një hap i nxituar i Berishës që edhe pse jo drejtpërsëdrejti, e prezantoi ish-kryeministrin Nano si presidentin e ardhshëm të shqiptarëve dhe që tashmë e ka futur atë në një udhëkryq pa dalje. Marrëveshja e tyre, ndoshta u zbeh pas zgjedhjeve ku PD humbi një pjesë të mirë të bashkive të mëdha dhe u duk sikur nuk funksionoi. Pretendimet e të djathtëve për postin e kreut të shtetit, do të përbënin një tjetër pengesë për kryeministrin Berisha që t’i shkonte deri në fund planit të tij me Fatos Nanon. Dalja në plan të parë e Bamir Topit dhe mbështetja që i gjeti tek kolegët e djathtë, e detyroi zotin Berisha që t’i jepte “Pro-në” atij, i cili edhe pse një figurë e dashur jo vetëm për politikanët por edhe për elektoratin, do ta detyrontë kreun e qeverisë të mos i qëndronte marrëveshjes me zotin Nano.

Ngjarjet do të nxirrnin kokë për më shumë në zhvillimet e fundit në gjirin e kampit të majtë. Kongresi i dështuar i PS-së dhe intervista që zoti Nano dha vetëm dy ditë para tij, treguan qartë bindjen e tij se ka një plan që do të detyrojë të dyja palët që ta zgjedhin atë president. Zoti Nano po luan me të dyja anët, duke e detyruar kryeministrin Berisha dhe liderin e PS-së Rama që të pranojnë ofertën e tij. Në një intervistë për një media shqiptare, ai u shpreh se gëzon mbi 100 vota në kuvend.

Nga njëra anë, është e Partia Socialiste ajo që po shkon drejt përçarjes së saj. Një parti e tretë pas LSI-së brenda PS-së brenda dy vjetësh do të shënonte fundin e saj. Kërcënimin që zoti Rama e bëri në ditën kur u zgjodh kryetar i PS-së, po e përsërit edhe zoti Nano. Kështu, edhe nëse lideri i majtë nuk do të pranojë një ofertë të tillë të Nanos, ai me afro 20 votat e majta që janë shprehur hapur pro tij dhe me ato të mazhorancës do të arrijë të ulet për herë të parë në fronin e kryetarit të shtetit.

Por ç’do të ndodh me të djathtën? Berisha duket se do të jetë i detyruar që për hir të mënjanimit të zgjedhjeve të parakohshme, të bind Bamir Topin që të heq dorë nga kandidatura e tij dhe ti lërë rrugën Fatos Nanos. Edhe pse ky duket si një nga veprimet më të vështira, Berisha dhe mazhoranca do të detyrohet që pranojë një sakrificë të tillë, pasi në të kundërt, deputetët e majtë që mbështesin Edi Ramën, do të marrin nën kontroll drejtimin e situatës.

I humburi nga ky mes, duket se do të jetë figura më e preferuar e shqiptarëve, Bamir Topi, i cili do të sakrifikojë postin e ëndërruar dhe që dukej sikur e kishte siguruar. Por, nëse demokratët do të kërkojnë vazhdimin e mandatit edhe për dy vjet të tjera, ata do të jenë të detyruar që të pranojnë ofertën e Fatos Nanos, ose në të kundërt, Rama dhe mbështetësit e tij, do t’ia arrijnë qëllimit për zgjedhje të parakohshme.

Në këtë mënyrë, Fatos Nano me 20 votat e të majtëve dhe 80 votat e të djathtëve do të arrijë të ulet në postin e Presidentit të Republikës duke vërtetuar edhe një herë se është një ndër politikanët që e shikojnë të ardhmen e largët më afër se të tjerët.

*Botuar në gazetën 'Albania'

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›