E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqyrtojmë pretendimet e PS-së, vetëm nëse janë kushtetuese dhe ligjore”

Kreu i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi, apel sërish opozitës për rikthimin në Kuvend

TIRANE – Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, i bëri dje apel opozitës të zerë vendet e saj në parlament duke shprehur gatishmërinë e mazhorancës për të shqyrtuar me respekt të gjitha pretendimet e saj. Kreu i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi nënvizoi se bashkëpunimi pozitë-opozitë, është një traditë e konsoliduar prej vitesh në politikën shqiptare. Patozi shton se PD është e hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e Partisë Socialiste, por me kushtin e vetëm që ato të jenë në respekt dhe në përputhje me kushtetuan dhe ligjet e vendit.
Në një prononcim për mediat Patozi tha se seancën e sotme, parlamenti do të shqyrtojë ndryshimet në buxhetin e shtetit dhe shprehu keqardhjen që PS nuk do të marrë pjesë në atë debat.
“Është një nga rastet që konsiderohen të arta për opozitën, pasi një opozitë serioze mezi pret të vijë diskutimi për qeverinë dhe për buxhetin e shtetit për të shprehur të gjithë rezervat dhe kontestimet e saj për ekzekutivin dhe për mazhorancën në përgjithësi. Për fat të keq, Partia Socialiste nuk po e shfrytëzon këtë shans. Ajo nuk do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit. Unë jam këtu sot për garantuar dhe siguruar Partinë Socialiste se ftesa jonë për rikthimin e tyre në parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze”, u shpreh Patozi.
Sipas tij, opozita duhet të jetë në parlament për të zhvilluar një debat normal politik në sallën e institucionit më të rëndësishëm të shtetit.
“Ne duam që Partia Socialiste të zërë vendet e saj në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese, për të cilat vendi ka nevoje jetike. Por mbi të gjitha  ne duam që bashkë me opozitën të shqyrtojmë dhe trajtojmë me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBEE-ODIHR-it, tha Patozi, duke shtuar se kjo ka qenë një praktikë, që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, kur ne miratuam ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral, që na çoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›