“Shqipëria, me demokraci të konsoliduar dhe ekonomi të zhvilluar”
Ish-zëvendëssekretarja e Shtetit, Dobryanski, vlerëson Berishën, për progresin reformator
TIRANE – Kryeministri Sali Berisha gjithashtu pati një takim të ngrohtë e miqësor me Paula Dobriansky, personalitet i rëndësishëm në politikën amerikane, mike dhe përkrahëse e vendosur e zhvillimit të Shqipërisë në vite.
Paula Dobriansky është një eksperte e politikës së jashtme amerikane, e cila ka mbuluar rolin e Zëvendëssekretares së Shtetit për Demokracinë dhe Punët Globale, si dhe çështjen e Irlandës së Veriut gjatë administratës së George Bush.
Dobriansky shprehu admirimin e saj dhe vlerësimet maksimale mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe për vendosmërinë e treguar nga qeveria shqiptare nën lidershipin e zotit Berisha, për të konsoliduar institucionet e demokracisë dhe të ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të ngritur në nivele të larta si asnjëherë tjetër zhvillimin ekonomik të vendit.
Njëkohësisht ajo shprehu vlerësimet pozitive për zbatimin me eficencë në Shqipëri të programeve të ndihmës së qeverisë amerikane si Millenium Challenge dhe për faktin se në rastin e Shqipërisë këto fonde shkojnë për të implementuar nisma dhe ide të qeverisë, të cilat po tregojnë të jenë mjaft të suksesshme dhe të vlerësuara nga ndërkombëtarët.
Dobriansky uroi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për mandatin e dytë të tij qeverisës dhe u shpreh e bindur se këto reforma dhe integrimi i vendit në BE do të jenë prioritet edhe i qeverisë së re.
Kryeministri Berisha falënderoi zonjën Dobriansky për përkrahjen dhe ndihmën e saj për Shqipërinë dhe e garantoi atë se qeveria shqiptare do të jetë e vendosur të implementojë me sukses ato standarde dhe kritere që do të çojnë në integrimin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.