E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manifestim kundër qeverisë “Berisha”

21/12/2009  PS proteston sot para Parlamentit
Lidershipi socialist braktis godinën e Kryeministrisë
Partia Socialiste do të protestojë sot para Parlamentit për hapjen e kutive dhe krizën ekonomike. Kësisoj, socialistët do të mbledhin mbështetësit e tyre në një tjetër manifestim, por kësaj radhe jo më përpara godinës së Kryeministrisë, por përpara sallës së Kuvendit. Në këtë mënyrë, duke iu rikthyer sërish manifestimeve në kryeqytet, kampi rozë i jep fund turit të këtyre tubimeve. Por kjo vetëm për festat e fundit vitit, pasi sikundër kanë deklaruar vetë përfaqësuesit socialistë, në muajin janar do të nisë aksioni i madh politik i opozitës deri në largimin e kryeministrit Berisha dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë gjatë ditëve të fundit PS-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë protestë jo vetëm për hapjen e kutive, si një normë bazë e themeltare e demokracisë, por edhe për rritjen e çmimit të energjisë, taksës së biznesit të vogël, që e klasifikon si të madh, pagat, pensionet. E njëjta frymë është përcjellë edhe në tubimet e zhvilluara gjatë javës që shkoi në qytete të ndryshme të vendit, ku vetë Rama ka shprehur vendosmërinë për të mos hequr dorë nga protestat deri në largimin e Berishës, një shenjë tjetër kjo që tregon se PS-ja pranon që të negociojë vetëm nëse Berisha hap kutitë.
Vasilika Hysi
“Bashkohuni në protestën tonë përpara sallës së Parlamentit. Ejani të protestojmë në emër të të drejtave tona më elementare të njeriut, për të jetuar të lirë, si qenie humane dhe të barabartë.
Protestat tona për hapjen e kutive dhe kundër reformave të ndërmarra në fshehtësi dhe në mungesë konsultimi janë vullneti ynë për t’i dhënë fund krizës së demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë për shkak të një qeverisjeje që qëndron mbi të qeverisurit dhe që nuk mendon aspak për ta. Ejani dhe t’i tregojmë qeverisë, që mbyll sytë dhe bën veshin shurdhër para krizës së demokracisë, se ajo duhet të hapë kutitë ose të largohet.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›