Kongresi i PS-së rrëzon platformën “Blushi” për ndryshimet statutore
Pas Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë, paketa e propozimeve për ndryshimet statutore që synonte mosrikandidimin e kreut të PS-së Edi Rama, është rrëzuar edhe nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste. Paketa e propozuar nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, ka marrë votat e vetëm 31 nga 1500 delegatët e pranishëm në sallë, ndonëse ishte deklaruar se ajo ishte firmosur nga të paktën 300 delegatë. Ka qenë deputeti Blushi ai që menjëherë pas përfundimit të transmetimit të dokumentarit që paraqiste manipulimet e zgjedhjeve, ka bërë propozimin për ndryshimin e rendit të ditës në Kongres, duke kërkuar diskutimin e paketës së ndryshimeve statutore. Kjo kërkesë e Blushit është votuar me votim të hapur në Kongres dhe vetëm 31 vota kanë qenë pro saj. Por, pikërisht, ka qenë votimi i hapur ai që ka shkaktuar një reagim të ashpër nga ana e deputetit socialist. Sipas tij, ky lloj votimi ka qenë një mungesë standardi për Partinë Socialiste. Blushi shpjegoi se nuk u rrëzua nevoja për ndryshimet statutore, por nuk u pranua futja e tyre në rendin e ditës. Deputeti socialist tha se për shkak të votimit të hapur, shumë delegatë që kishin firmosur nuk votuan për shkak të frikës dhe presioneve të largimit nga puna. “Askush nuk e di se sa vota ishin pro. Një pjesë e mirë nuk morën pjesë në votim, në një sallë mbytëse dhe pa kamera”, - tha Blushi, i cili shtoi se nëse paketa do të ishte futur në rend të ditës, do të bënte publik dhe emrat e 300 delegatëve që firmosën pro ndryshimeve. “Rrëzuam një standard që kemi prezantuar vetë dhe kemi thënë se PS-ja është e hapur, demokratike dhe mirëpret ata që duan ta reformojnë. Humbja e zgjedhjeve nuk është e PS-së, por e Edi Ramës. Rama ka humbur zgjedhjet dhe duhet të dalë para delegatëve e të kërkojë falje”, - vijoi ai. Ndërkohë, kundërshtarët e paketës së Blushit, deputetë dhe figura të PS-së të njohur për mbështetjen ndaj Ramës, kanë argumentuar se Kongresi e kishte të përcaktuar axhendën e punimeve të tij. Sipas tyre, PS-ja ka nevojë për ndryshimet staturore, por kjo nuk mund të ndodhë tani, pasi nuk është koha e përshtatshme.
Shkurt, qëndrimet e figurave të PS-së
Lame: “Rama po e përçan thellë PS-në”
Anëtari i Asamblesë Parlamentare të PS-së, Artan Lame, ka deklaruar se Partia Socialiste ndodhet në prag të një përçarjeje të thellë. Lame ka theksuar se shkak i kësaj përçarjeje është Edi Rama, i cili nuk dha dorëheqjen nga posti i kryetarit pasi humbi gjedhjet. “Jemi në pragun e një krisjeje të brendshme në parti. Dynjaja që e ka shpikur rregullin që kryetari që humb zgjedhjet ikën, ka bërë gjënë më të mirë, pasi shmanget përçarja. Arsyeja kryesore që kryetari detyrohet automatikisht të tërhiqet është që të mos ketë përçarje në parti. Rregullat bëhen më përpara për arsyen që njerëzit të mos ndahen”, - ka pohuar Lame.
Majko: “Zgjedhjet u humbën vetëm për shkak të Berishës”
Deputeti socialist, Pandeli Majko, ka mbrojtur kryetarin në detyrë të PS-së, Edi Rama. Sipas Majkos, zgjedhjet nuk janë humbur për shkak të Ramës, por për shkak të manipulimeve të bëra nga kryeministri Sali Berisha. “Edi Rama është një kryetar me pesë yje dhe zgjedhjet u humbën vetëm për shkak të Berishës. Nuk është kjo mënyra se si po zhvillohet Kongresi. Ne po shqyrtojmë mundësinë që humbja të ketë ardhur nga diçka e jashtme, por edhe nga probleme të brendshme”, - ka pohuar Majko. Sipas tij, tani PS-ja duhet ta shqyrtojë me vëmendje situatën në të cilën ndodhet dhe e ardhmja e saj nuk varet vetëm nga ndryshimi i kryetarit Rama.
Dokle: “Mbështes pa rezerva Edi Ramën”
Deputeti socialist, Namik Dokle, ka shprehur hapur mbështetjen e tij për kandidaturën e kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama. Dokle ka theksuar se humbja në zgjedhje nuk mund t’i faturohet vetëm kreut socialist, por gjithë partisë dhe strukturave të saj. “E mbështes kandidimin e Ramës. Në bazë të Statutit dhe të rregullave që ka PS-ja, nëse ai do të jepte dorëheqjen, nuk mund të rikandidonte më. Në momentin që nuk kemi fituar zgjedhjet, mandati i tij është ndërprerë, por jo e drejta për të rikandiduar përsëri”, - u shpreh Dokle.
Dade: “Humbja, përgjegjësi jo vetëm e Ramës”
Deputetja socialiste, Arta Dade, e ka cilësuar Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së si një sukses të kësaj force politike, duke hedhur poshtë akuzat e Ben Blushit dhe të Arben Malajt. Dade tha se mbështet idenë e vazhdimit të projektit të Ramës, ndërkohë që shpërndau përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Fushata ka pasur edhe ikona të tjera. Pra ka pasur një diferencim edhe nga ato personalitete të PS-së që kanë marrë vendime bashkë me Ramën. Projekti politik i Ramës nuk ka qenë i dështuar dhe ne do ta vazhdojmë. Secili nga ne ka shumë për të përmirësuar, sepse një parti serioze shikon vend për përmirësime edhe kur fiton”, - tha Dade.
Manjani: “Rama, peng i politikës së vjetër”
Juristi i PS-së, Ylli Manjani, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 28 qershorit Partia Socialiste është bashkuar me politikën e vjetër, pasi kryetari i saj, Edi Rama, nuk ka dhënë dorëheqjen siç e parashikon Statuti. “Rama, krejt papritur, sot është futur në sqetullën e politikës së vjetër. Nëse në fushatë thuhej se politikani që humb zgjedhjet duhet të largohet, sot po thuhet që ky politikan të rikandidojë”, - ka deklaruar Manjani. Sipas Manjanit, zgjedhjet për kryetarin e partisë janë të kota, pasi nëse kandidon Rama, ka shumë mundësi që ai t’i fitojë ato. “Nuk ka kuptim që të ketë zgjedhje për kryetarin. Do të kandidojë zoti Rama dhe do të fitojë. Nuk ka alternativë tjetër”, - ka shtuar Manjani.
Braçe: “Nuk e njohim rezultatin, as koalicionin qeverisës”
Deputeti socialist, Erion Braçe, tha se Partia Socialiste i humbi zgjedhjet e 28 qershorit jo për shkak të programit, por për shkak të manipulimeve të bëra nga kryeministri Berisha. Sipas Braçes, PS-ja nuk e njeh rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe koalicionin qeverisës Berisha-Meta. Deputeti socialist theksoi se Rama e ka rrugën të hapur për të rikandiduar në krye të PS-së. “Po gjykojmë zgjedhjet dhe do të marrim një përfundim për rezultatin e tyre. Shumica e të pranishmëve është fokusuar pikërisht në këtë çështje. Rezultati i fiksuar nga Sali Berisha është i papranueshëm për ne, ashtu sikurse koalicioni qeverisës Berisha-Meta”, - ka nënvizuar Braçe.
Pëllumbi: “Pro rikandidimit të Edi Ramës në krye të PS-së”
Servet Pëllumbi deklaroi se Kongresi zhvillohet në kohën e duhur. Pëllumbi tha se ndryshimet në Statut janë të domosdoshme. “Duhet një hapësirë më e gjerë për debatet, idetë, por nuk është momenti”, - shtoi ai. Ai tha se Blushi i propozoi vonë ndryshimet, por paralajmëroi se Kryesia ka mbledhur komision dhe brenda vitit ndryshimet do të miratohen në një kongres tjetër.
31 Gusht 2009