Malaj tërhiqet nga gara, zgjedhjet për kreun e PS-së, më 26 shtator
Pas Ben Blushit, edhe Arben Malaj është tërhequr nga gara për kreun e Partisë Socialiste. Anëtari dhe deputeti socialist e ka marrë këtë vendim, ndonëse disa orë më parë ai shpalli platformën e tij konkurruese në punimet e djeshme të Kongresit të Jashtëzakonshëm, në garën për kreun e PS-së. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë stafit të deputetit Malaj, ndërkohë që vetë Malaj pritet ta zyrtarizojë një vendim të tillë ditën e hënë. Deputeti socialist e paralajmëroi marrjen e këtij vendimi disa momente pasi delegatët e Kongresit vendosën të rrëzonin kërkesën për votimin e ndryshimeve statutore. Malaj tha se nuk mund të bëhej pjesë e një farse elektorale dhe nuk e përjashtoi mundësinë e tërheqjes nga gara e PS-së. Këtë vendim deputeti socialist e ka marrë pasi ka shpallur platformën e tij në Kongres, ndërsa që në orët e vona të mbrëmjes ai ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesit e OSBE-së në Tiranë, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste ka përcaktuar datën e zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e kësaj partie. Zgjedhjet do të zhvillohen në datën 26 shtator dhe anëtarët e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë do të zgjedhin kryetarin e ri të PS-së me anë të parimit “një anëtar, një votë”. Pas tërheqjes së Malajt, tashmë në garën për postin e kreut të Partisë Socialiste është kryetari në detyrë Edi Rama dhe ish-deputeti Maqo Lakrori, i cili ka paraqitur dje platformën e tij konkurruese.
Malaj: “Partia Socialiste ka nevojë për model të ri dhe shpresë të re”
Arben Malaj e ka nisur prezantimin e platformës së tij konkurruese në Kongres duke falënderuar të gjithë votuesit, themeluesit dhe modernizuesit e Partisë Socialiste në vite. Në fjalën e tij Malaj ka shprehur gatishmërinë për ta udhëhequr Partinë Socialiste drejt modernizimit, fitores dhe mirëqeverisjes. Malaj tha se në drejtimin e tij Partia Socialiste do të shndërrohej në forcën politike që do të qeveriste vendin. Ai theksoi se Partia Socialiste ka nevojë për një model të ri dhe shpresë të re që presin shqiptarët. “Do ta shndërrojmë PS-në në forcën që qeveris Shqipërinë. Dua të krijoj një model të ri, të krijoj shpresën e re që presin shqiptarët. Duam ta shikojmë me shpresë të ardhmen. Pavarësisht rezultatit të deformuar, bindja ime është se shqiptarët nuk meritojnë të qeverisen nga Sali Berisha. Meritojnë një qeveri që rrit shanset për të gjithë. Duhet t’u ofrojmë mirëqeverisje shqiptarëve. Jam optimist për PS-në, mbetet shpresa dhe alternativa e shqiptarëve. Do të modernizoj PS-në dhe Shqipërinë. Duhet të transformojmë dhe të modernizojmë PS-në. Ne nuk na duhet modeli i një lideri me pushtet absolut. Duhet të garantojmë një demokraci më të drejtpërdrejtë. T’u themi jo klaneve dhe influencave negative në sipërmarrjen tonë politike. Nuk do të përjashtohen mendimet ndryshe. Përgjegjësia e liderit është që të nxisë mendimin ndryshe”, - tha Malaj.
31 Gusht 2009