E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2012, pritet të përfundojnë një sërë gjyqesh

Pavarësisht maratonës së shtyrjeve të njëpasnjëshme, disa prej proceseve gjyqësore më të bujshme po i afrohen fundit. Në datën 6 janar pritet që procesi i shumëpërfolur mediatik për video-përgjimin Meta-Prifti të kalojë një fazë decizive, pretencën e prokurorisë. Ky proces ka qenë ndër më të debatuarit midis palëve gjatë vitit 2011 ku nuk kanë munguar as akuzat e ndërsjellta. Avokatët mbrojtës si dhe vetë ish zv.kryeministri Ilir Meta e kanë akuzuar prokurorinë për një proces të montuar me prapaskena politike. Një proces tjetër i rëndësishëm i cili po i afrohet fundit është gjyqi i çështjes "Gërdeci". Pas dhënies së pretencës nga ana e prokurorisë në datën 6 janar pritet dhënia e konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes për 7 prej të pandehurve, ndërmjet të cilëve Ylli Pinarit, Dritan Minxollit si dhe Mihal Delijorgjit. Përfundimi i konkluzioneve të mbrojtjes në seancën e radhës do ti hapë rrugën verdiktit të trupës gjykuese. Procesi gjyqësor ndaj Bandës së Durrësit në gjykatën e krimeve të rënda vijon më 9 janar me përfundimin e konkluzioneve të mbrojtjes për të pandehurin Endrit Dokle ndërsa në këtë seancë pritet edhe verdikti i gjykatës.
Me përfundimin e vitit 2011 u konkluduan një sërë procesesh të bujshme siç janë ato të bandave të lindura pas vitit 1997. Në gjykatën e krimeve të rënda gjatë vitit që lamë pas, edhe pse të stërzgjatura, u mbyllën proceset ndaj bandës së Mirditës, bandës së Cërrikut si dhe bandës së Lushnjës, procese të cilat tashmë pritet të vijojnë në Apel. Përpos taktikave të avokatëve mbrojtës për shtyrjen e këtyre proceseve prokurorë të niveleve të ndryshme nën zë pranojnë se shkak i këtyre shtyrjeve të herëpashershme shpesh herë bëhen edhe problemet infrastrukturore në gjykata, mosrespektimi i procedurës penale për vijimësinë e përditshme të gjyqeve, mungesa e një kohe fikse të zgjatjes së procesit të gjykimit si dhe një sërë problemesh të tjera.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›