E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i Nënë Terezës, startojnë aktivitet

Nënë Tereza, me misionin e saj humanist që ndërmori përgjatë gjithë jetës, është shndërruar një ikonë paqeje dhe dashurie për mbarë njerëzimin. Në 100-vjetorin e lindjes së bamirëses shqiptare dje u çelën zyrtarisht aktivitetet, që do të mbahen në nderim të

misionares së përbotshme, të cilat do të zgjasin deri më datë 26 gusht. Një konferencë përkujtimore është organizuar dje për nder të shqiptares së madhe, e cila ka ushqyer kudo në botë mirësi, paqe, dashuri, mëshirë e tolerancë. Në mjediset e TKOB gjithashtu është çelur ekspozita fotografike "Nënë Tereza", e janë ekspozuar gjithashtu edhe librat që i janë kushtuar humanistes. Gjatë kësaj konference kanë referuar personalitete të fushave të ndryshme, përfshi këtu artin, fenë, politikën e më gjerë. E ndërkohë nuk munguan edhe recitimet e vargjeve e citimeve të Nënë Terezës, nga aktoret e njohura Tinka Kurti dhe Ema Andrea. Në këtë konferencë ishte i pranishëm dhe Ministri i Kulturës z. Ferdinand Xhaferraj, i cili në fjalën e tij theksoi se: Mesazhi i saj i madh e kapërcen kornizën e epokës ku jetoi, pasi misioni i Nënë Terezës ka qenë mendja dhe zemra njerëzore. E njohur si Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhi ajo misionin e saj humanist e ndërmori përgjatë gjithë jetës. Nënë Tereza jonë ka realizuar në jetën e vet atë qytetërim të dashurisë për të cilën ka folur shumë herët Papa Gjon Pali II, u shpreh Angelo Masafra, zv./president i konferencës ipeshkevore. Ka referuar dje dhe Anton Nik Berisha, studiues i artit e kulturës shqiptare nën temën, Nënë Terezë, i desha njerëzit me dashurinë e hyjit. Gjatë fjalës së tij ai ka theksuar veç të tjerash se kjo nënë e të gjithëve na deshi me dashurinë e hirit dhe sakrifikoi jetën e saj në shërbim të fëmijëve, të atyre që vuanin e të gjithkujt që kishte nevojë për dashuri e përkujdesje. I veçantë ishte edhe prezantimi i librit "Mendime të Nënë Terezës", që është një përmbledhje e thënieve nga vetë ajo. Aktivitetet u mbyllën me këngë nga kori "Pax Dei", nën drejtimin e Suzana Turkut. Por programi kushtuar bamirëses shqiptare premton se do të ketë aktivitete deri në datë 26 gusht, dita e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut. Kinema Imperial shfaq gjatë qershorit filma dokumentarë kushtuar Nënë Terezës. Biblioteka Kombëtare organizon në korrik Ekspozitën e 12 shenjtorëve. Po në korrik është menduar në Teatrin Kombëtar një "Mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën.

Bandat e njohura botërore vijnë në dy koncerte në Tiranë
Tirana do të kridhet në rock këtë fillim qershori. Nuk do të ketë limit për të gjithë fansat e kësaj rryme, të cilët këtë herë do ti ndajë vetëm mosha. Edicioni i dytë i festivalit Rock In Tirana do të vijë këtë herë në dy ditë. Në datën 5 qershor koncerti do tu dedikohet moshës 30-50 vjeç me Uli Jon Roth band, kitaristi legjendar i Scorpions, Rainbow të cilët vijnë me këngëtarin Joe Lynn Turner. Ndërkaq ditë e dytë e festivalit do ti dedikohet rinisë. Më datë 8 qershor në Tiranë për herë të parë do të vijnë dy nga grupet më të preferuara të rinisë në gjithë botën Planet funk dhe One Republic. Festivali Rock in Tirana organizohet për herë të dytë në Tiranë, ndërsa kujtojmë që ai u çel një vit më parë me disa nga emrat më të preferuar të muzikës në botë. Kujtojmë këtu ardhjen e bandës gjermane Reamonn, këngëtaren Gabriela Cilmi dhe Giussy Ferreri nga Italia. Këtë vit festivali është planifikuar të jetë në dy net dhe do të ketë një ndarje të tillë. Dita e parë 5 qershor do të jetë klasik rock dhe koncerti fillon në orën 20:00 me Uli Jon Roth band, kitaristi legjendar i Scorpions dhe më pas në orën 21:30 do të performojnë Rainbow, të cilët vijnë në Tiranë me këngëtarin Joe Lynn Turner. Por e rëndësishme është që Turner do performojë të gjitha hitet e Rainbow, pra edhe nga epoka e Ronnie James Dio edhe nga Graham Bonett si edhe nga albumi i fundit me Doggie White. Dita e dytë 8 qershor është më rinore. Koncerti do të hapet nga këngëtarja Besa, e cila do të performojë live me bandën e saj nga ora 20:00 deri më 20:45, më pas më 21:00 në skenë do të performojnë Planet funk deri më 22:15. Në orën 22:30 deri në 23:45 në skenën e stadiumit Qemal Stafa për të gjithë fansat e tyre do të ngjiten One Republic.

AQSHF sjell Nostalgjia e kinemasë
AQSHF për dy javë sjell pranë publikut prodhime të njohura të kinematografisë botërore në aktivitetin me titull Nostalgjia e kinemasë. Gjatë 15 ditëve do të shfaqen 45 filma, prodhime të kinematografisë botërore, pjesë e fondit filmik të AQSHF, të cilët kanë qarkulluar nëpër ekranet e kinemave tona në vitet 70 80 dhe janë ndjekur me shumë interes nga publiku. Për këtë arsye aktiviteti quhet Nostalgjia e kinemasë, sepse synon të rizgjojë tek publiku i moshës së tretë tashmë, emocionet e dikurshme që u kanë dhënë këto filma, por edhe tua paraqesë më të rinjve të cilët i njohin si tituj, por nuk kanë pasur më rast ti ndjekin në kinema këto filma. Kjo është një mënyrë e mirë për të tërhequr drejt magjisë së kinemasë të dy brezat, kjo edhe sepse filmat e përzgjedhur janë perla të kinematografisë botërore. Shpërndarja e filmave do të jetë 3 tituj në ditë me nga 2 herë shfaqje, paradite dhe pasdite sipas programit bashkangjitur. Nostalgjia e kinemasë do të organizohet gjatë 15 ditëve, në datat  4-18 qershor në sallat e kinemasë Imperial pranë qendrës Kristal.

Last Updated on E Premte, 04 Qershor 2010 19:29

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›