E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i Ri, pa dietë dhe pa shtuar në peshë

TIRANE- Vetëm një natë na ndan nga darka fes tive e Vitit të Ri dhe ashtu siç është bërë traditë, tryezat në shtëpitë tona do të mbushen plot me gatime të shijshme, por që duhet thënë, edhe me shumë kalori. Ndoshta nuk është periudha më e përshtatshme për dietë, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të humbasim kontrollin për sa i përket masës së ushqimeve që do të konsumojmë. “Abuzimi me ushqimin gjatë natës të Vitit të Ri mund të ketë pasoja shëndetësore në shumë persona. Kujdes duhet të kenë kryesisht personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti ose me probleme kardiovaskulare. Përveç sasisë ushqimore, duhet të kemi kujdes dhe me sasinë e pijeve alkoolike”,- shpjegon dietologia Rolina Naço, e cila do të na japë edhe disa këshilla që duhet t’i zbatojmë gjatë natës së ndërrimit të viteve. Më poshtë vijojnë disa këshilla për të menaxhuar sa më mirë veten në tryezë për të mos shtuar në peshë, por dhe që të mos kemi probleme me tretjen.
GATIMET
Gjeli i detit është kthyer në traditë në tryezën e Vitit të Ri. “Në fakt, mishi i gjelit të detit është i varfër në yndyrë (përveç lëkurës) dhe këshillohet të jetë në tryezën tonë jo vetëm gjatë natës të Vitit të Ri. Një racion gjel deti rreth 120gr (nga pjesa e gjoksit), ka vetëm 7 gr yndyrë. Ne mund të evitojmë kalori nga gjeli, nëse nuk i shtojmë gjalpë ose vaj gjatë pjekjes. Përveç kalorive që evitojmë në këtë rast, ajo që është e rëndësishme është se ato kalori që evitojmë kanë origjinë shtazore, e cila në tepricë dëmton shëndetin. Mund të përdorim letër alumini gjatë pjekjes ose mund ta ziejmë më parë dhe më pas të kalojë në pjekje”, - këshillon dietologia. Gjithashtu ajo rekomandon përdorimin e erëzave, të cilat janë të pasura me substancë të dobishme për organizmin, japin shije dhe pa shtuar yndyrë. Një tjetër gatim tradicional është edhe përsheshi, i cili bëhet me lëngun e gjelit të detit. Dietologia këshillon që gjatë gatimit të tij të bëhet kujdes me sasinë e yndyrës, sepse kështu bëhet më i lehtë. “Mund të marrim lëngun e gjelit dhe pasi ta kemi vënë në frigorifer të largojmë yndyrën e ngrirë, e cila është yndyrë shtazore. Gjithashtu mirë është të shtohet vaj ulliri në vend të gjalpit, duke e bërë atë më të shëndetshëm, pasi vaji i ullirit është yndyrë me origjinë bimore dhe me shumë benefite për shëndetin”,- thotë Naço.
ËMBËLSIRAT
Bakllavaja është një ëmbëlsirë që nuk mungon gjatë festimit të festës. “Në fakt bakllavaja është më shumë e rrezikshme për të na shëndoshur pas natës së Vitit të Ri. Gjatë darkës ne nuk arrijmë të hamë shumë bakllava, pasi në tryezë ka shumë ushqime. Por pas festave ajo konsumohet mjaft, ndërkohë që 1 racion bakllava ka rreth 400-500 kalori, që do të thotë se nga 1 racion bakllava në ditë ne marrim 20- 25% të kalorive ditore”,- thotë dietologia. Për këtë arsye ajo rekomandon që të blejmë ose të përgatisim sasi të vogla të kësaj ëmbëlsire.
PIJET ALKOOLIKE
Konsumimi i 1-2 gotave pije alkoolike në ditë për personat që nuk kanë probleme shëndetësore është e rekomandueshme dhe mund të themi se ka edhe disa benefite në shëndetin e zemrës. Këto benefite lidhen kryesisht me konsumimin e verës së kuqe. Por kjo gjithmonë duke mos abuzuar. “Duhet të mos harrojmë se pas yndyrës, e cila na jep shumë kalori, është alkooli. 1 gram alkool përmban 7 kalori. Një gotë verë rreth 150ml ka 80 kalori. Kjo do të thotë se përveç abuzimit me ushqimin duhet të kemi kujdes edhe me pijet alkoolike”,- këshillon Naço. Dietologia nuk le pa përmendur edhe pijet me gaz, të cilat kanë një përmbajtje shumë të lartë sheqeri dhe kaloritë që marrim nga to janë “boshe”, pra pa asnjë vlerë ushqimore. Për këtë arsye preferohet konsumimi i lëngjeve të frutave dhe uji. FRUTAT E THATA
Shpesh herë gjatë festave në tryezë ndodhen edhe frutat e thata si arra, bajame, stika etj, të cilat janë shumë të shëndetshme, por kanë një përmbajtje shumë të lartë në kalori dhe në kripë. Për këto arsye dietologia rekomandon konsumimin në sasi të vogla. Një alternativë shumë e shëndetshme dhe me pak kalori do të ishte një sallatë frutash.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›