Furnizimi me ujë, gjermanët japin 1.5 milionë euro
Kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, ka nënshkruar dje marrëveshjen e kredisë prej 1.5 milionë euro për financimin e projektit "Programi rural i furnizimit me ujë të zonave rurale - Faza 2". Ky projekt financohet nga KfW. Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka për objektiv sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm sasior dhe cilësor me ujë të pijshëm të popullsisë së disa qarqeve si Dibër, Kukës dhe Shkodër. Kredia e marrë është me terma të buta. Sipas marrëveshjes, ajo ka një afat maturimi prej 30 vjet dhe interesi është 2 për qind në vit. Ndërkohë që për dhjetë vjet nuk do të paguhet principali. Kosto e parashikuar e projektit është 1.785 milionë euro, ku 1.5 milionë euro financohen nëpërmjet kësaj kredie dhe pjesa tjetër janë kontribut vendor prej 285 mijë euro. Sipas marrëveshjes, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e një konsulenti ndërkombëtar të specializuar për ujësjellësit ruralë, do të aplikojë kriteret sociale, teknike dhe financiare të këtij programi për identifikimin dhe seleksionimin e komunave dhe fshatrave. Gjithashtu do të menaxhojë anën financiare duke përfshirë edhe kontributet fillestare të përfituesve dhe komunave respektive, si dhe do të monitorojë prokurimin, projektimin, zbatimin, operimin dhe mirëmbajtjen e skemave të financuara të ujësjellësve në zonat e përzgjedhura.