E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik në Durrës, merr flakë anija që shkarkonte naftë

 

DURRES / OERD ULQINI

Sirena e alarmit të kuq ra paraditen e djeshme në Durrës, kur në anijen-çisternë "Anastasi 1", të mbushur me 400 ton naftë shpërthyen flakët e zjarrit. Një katastrofë mund të ndodhte në qytetin bregdetar, nëse do të kishte pasur një vonesë në shuarjen e tij.
Pesë zjarrfikëset e portit, të ndodhura vetëm 200 metra larg anijes, kanë hyrë në aksion brenda një kohe rekord, duke mos u dhënë mundësi flakëve të depërtonin nga salla e motorëve në cisternë. Anija "Anastasi 1", e cila lundron me flamur shqiptar kishte mbërritur nga Greqia në Durrës 36 orë më parë dhe gjatë kësaj kohe kishte shkarkuar në tankera sasinë më të madhe të karburantit, gazoil dhe benzinë, për llogari të një kompanie vendase. Burime portuale saktësuan se cisterna ishte e ngarkuar në Greqi me 1200 ton karburant me destinacion Durrësin. Në bordin e anijes ndodheshin 10 marinarë, shumica e të cilëve me kombësi shqiptare. Procesi i shkarkimit kishte filluar një ditë përpara se të binte zjarri. Dukej një shkarkim krejt normal, të paktën deri në orën 10:30, kur motoristi pa në sallë flakët që kishin përfshirë atë skaj të ulët të anijes "Anastasi 1". Fillimisht sirena e alarmit "zjarr në bord" ka rënë në kuvertën e anijes dhe pas pak sekondash një e dytë ka dhënë alarmin e përgjithshëm në port. Kanë qenë marinarët ata që u përballën me flakën që në sekondat e para të saj. Në funksion është vënë sistemi antizjarr i anijes dhe me të mbërritur zjarrfikësit, marinarët janë urdhëruar të evakuohen. Pas afro 60 minutave përpjekje zjarri është shuar, pa shënuar dëmtime të njerëz. Kapitaneria ka ngarkuar një grup të posaçëm hetimi për të zbardhur ngjarjen. Deri tani mendohet se vatra e zjarrit ka lindur në sallën e motorëve të cisternës, duke rrezikuar me përhapjen e flakëve në pjesë të ndryshme të anijes. Sipas hetimeve të para dyshohet se ndonjë shkëndijë elektrike ka arritur të ndezë disa lecka që përdoreshin për të fshirë vajin e motorëve. Më pas i ushqyer edhe nga mjedisi i motorëve me vaj dhe naftë zjarri ka kërcënuar të hedhë në erë jo vetëm anijen-cisternë, por të gjithë kalatën 4 të portit. Ngjarja ka përhapur panik edhe tek pasagjerët, që imbarkohen në këtë kalatë në katamaranin e linjës Durrës-Bari. Falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivave antizjarr është arritur bllokimi dhe më pas shuarja e plotë e flakëve. Anija ishte e tonazhit të vogël dhe kishte një kapacitet transportues prej 1200 tonësh karburant. Ajo ishte ankoruar në pjesën perëndimore të portit të Durrësit, zonë shumë e preferuar për përpunimin e anijeve.
Ky është një rast i përsëritur, pasi më 7 korrik të këtij viti, një tjetër zjarr i fuqishëm ra në bordin e anijes-cisternë "Evangelos. G". Flakët e para u dukën kur anija "Evangelos G", e cila lundronte me flamur panamez sapo kishte nisur kursin në det të hapur. Atëherë çisterna me kapacitet 3 020 ton është gjendur mes flakëve, kur po lundronte ende në Gjirin e Durrësit, afro tetë milje larg bregut, ndërsa në rastin e "Anastasia 1" zjarri ra gjatë shkarkimit në port. Në pamundësi të ndërhyrjes nga toka, tek "Evangelos G" disa marinarë u plagosën me djegie të shumta në trup, ndërsa në rastin e fundit ndërhyrja e zjarrfikëseve nga toka ishte përcaktuese për të shmangur një tragjedi në mes të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›