Berisha: SHBA s’kanë përvojë në dënimin e komunizmit, se nuk e kanë provuar
Mazhoranca miratoi dje e vetme ligjin për lustracionin, duke shpërfillur hapur kërkesat e komunitetit ndërkombëtar, duke shënuar kështu një çarje të rëndë në marrëdhëniet me aleatët e rëndësishëm të vendit tonë.
Sinjalet e një përplasjeje të mundshme ishin dhënë prej ditësh, kur mazhoranca rrëzoi pretendimet e ndërkombëtarëve se ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe ligje të tjera dhe se krijon madje probleme politike në vend.
Dita e djeshme ka nisur me tension. Kryeministri, Sali Berisha, përdori mbledhjen e grupit parlamentar të PD për të ritheksuar se ligji është kushtetues e për t’i treguar, kryesisht ambasadorit amerikan në vendin tonë, se Shqipëria është një vend i lirë e demokratik.
Nga ana tjetër, ambasadori amerikan ka zgjedhur një shkollë të Tiranës për të dhënë një përgjigje të tërthortë për situatën. Duke përdorur një fabul që e ka lexuar para fëmijëve, Withers tha se oreksi i tepërt të bën dëm. Një larvë që nuk linte fryt e ëmbëlsirë pa ngrënë, arriti në një moment kur u sëmur nga stomaku. Të nesërmen ajo nuk hante dot, veçse një gjethe. Ky ka qenë thelbi i fabulës që ka lexuar Withers. Megjithatë, Berisha ka patur gjithë pasditen në dispozicion për t’i dhënë përgjigje z. Withers.
Kryeministri kësaj radhe e ka lënë mënjanë çështjen e sovranitetit, por ka tentuar që të bëjë dallim mes Evropës dhe SHBA për sa i përket mënyrës se si e kanë njohur komunizmin. Berisha tha se SHBA nuk e ka njohur siç duhet komunizmin.
“Çfarë qëndrimesh janë mbajtur ndaj këtyre ligjeve. Këto ligje, nuk ekziston asnjë raport mbi tokë, i një shteti që t’i mbështesë në një shtet tjetër. Jo zotëri, janë konsideruar probleme të atyre që kanë pasur fatkeqësinë e detyrimin madhor për të bërë lustracion. Fatlum kanë qenë ata që s’kanë pasur nevojë për këtë proces. Por këtij procesi i janë nënshtruar të gjithë ato që e kanë pasur të domosdoshme si ne. Ndaj duke kërkuar mirëkuptimin më të madh për të gjitha qëllimet, e konsideroj absolutisht detyrimin më madhor delegjitimimin e barbarisë komuniste mbi shqiptarët. Ne jemi vend i hapur, i lirë, kemi dhe do të kemi vëmendjen më të madhe drejt standardeve. Fatmirësisht këto standarde janë përpunuar në tempujt e demokracisë evropiane, këto i ka përpunuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i ka legjitimuar Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila nuk ka marrë përsipër të vërë në mëdyshje thelbin e ligjit të lustracionit, duke i cilësuar të drejta kufizimet e përkohshme,” tha Berisha.
Megjithatë, duket se ky pretendim i Berishës nuk qëndron, për shkak se kanë qenë dhe evropianët që e kanë rrëzuar pretendimin e tij për ligjin, duke e quajtur antikushtetues, dhe dje ODIHR shtoi se ligji mund të krijojë dhe probleme politike.
Opozita e ka kundërshtuar projektin dhe ka braktisur sallën gjatë votimit. Projekti mori 74 vota pro, dy kundër dhe një abstenim, ndërkohë që 57 deputetë nuk kanë marrë pjesë në votim.
Ambasadori i ODIHR: Ligji ka implikime serioze kushtetuese dhe politike
Disa orë para se Kuvendi të miratonte Kodin Zgjedhor, përfaqësuesit ndërkombëtarë në vendin tonë kanë bërë një orvatje të fundit që ligji të mos miratohet pa marrë më parë konsulencën e ndërkombëtarëve. Ka qenë prezenca e OSBE, e cila ka ripërsëritur qëndrimin e mbajtur ditë më parë. “Është e domosdoshme që çdo proces lustrimi të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe të kryhet me një konsensus sa më të gjerë”, - u shpreh kreu i prezencës së OSBE, Bosch.
Por kësaj radhe deklarata është bërë dhe nga drejtori i Zyrës së OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ambasadori Janez Lenarçiç.
Lenarçiç tha: “Ligji ka implikime serioze kushtetuese dhe politike dhe shtyrja e votimit për të lejuar konsultime më të gjera do të ishte e mirëpritur.”
Ambasadorët theksuan se Prezenca në Shqipëri dhe ODIHR ishin të gatshëm të mbështesnin autoritetet shqiptare, dhe nëse do t’u kërkohej, të jepnin asistencën dhe ekspertizën e tyre mbi këtë projektligj.
Megjithatë, sërish sot pritet një qëndrim i ndërkombëtarëve në vendin tonë, të cilët prej ditësh e kundërshtojnë miratimin e tij.
Topi: Do flas me dekret
Presidenti Topi i është përgjigjur dje interesimit të gazetarëve për sa i përket ligjit të dosjeve. “Unë në natyrën time nuk bëj koment mbi komente, por duke qenë gjithmonë në një pozicion respekti ndaj medias dhe transparencës publike, do të bëja thirrje që t’i ktheheni arshivës. Secila nga mediat ka arkivin e vet, dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia për sa i përket çështjes së dosjeve. Në rast se do të më pyesnit si politikan, gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Si president unë flas nëpërmjet dekretit.”
Rama: Pranojmë të hapen të gjitha dosjet, por me një ligj të standardeve evropiane
Kryetari i PS, Edi Rama, deklaroi dje paradite votën kundër ligjit të paraqitur nga mazhoranca për hapjen e dosjeve të komunizmit. Rama tha dje se pa u miratuar në Kuvend ligji për reformën zgjedhore, PS nuk do të shkelë në sallën e Kuvendit. Lidhur me ligjin për dosjet e komunizmit, Rama u shpreh se PS është e gatshme të hapë të gjitha dosjet, por nëpërmjet një ligji që plotëson standardet e kërkuara, dhe që do të ketë asistencën dhe bekimin e ndërkombëtarëve.
“Qëndrimi ynë është i qartë: Jemi gati të hapim dosjet, të gjitha dosjet, dhe jemi gati të votojmë një ligj të standardeve evropiane që ka pëlqimin e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm ndërkombëtarë, duke filluar nga qeveria amerikane, së cilës i kërkoj ndjesë në emër të qytetarëve e qytetareve të Shqipërisë për sjelljen joserioze të kryeministrit shqiptar ndaj shqetësimeve të shprehura prej përfaqësuesve të saj të nderuar. Do të doja që këtë ndjesë ta kërkonte sot vetë kryeministri, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë së një populli që ushqen ndjenjat më të ngrohta të miqësisë e të respektit për SHBA e për përfaqësuesit e tyre dhe uroj me gjithë zemër që këto lajthitje të turpshme të Sali Berishës të mos përsëriten së paku me miqtë e partnerët e Shqipërisë. Ndërkohë, dua të përsëris edhe njëherë qëndrimin e qartë të Partisë Socialiste e të grupit të saj parlamentar: Ne duam mbylljen e menjëhershme të punës së parlamentit për Kodin e ri Zgjedhor me futjen për votim të dekretit të presidentit pa humbur asnjë ditë. Pa u mbyllur kjo punë, të cilën jo vetëm ne, po edhe partnerët tanë euroatlantikë e quajnë urgjente, Partia Socialiste nuk merr pjesë në asnjë votim tjetër të parlamentit”, - tha Rama.