E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kafka dhe përkthimtaria (2)

Sipërmarrja për të sjellë në një gjuhë tjetër prozën e Kafka-s shfaqet e vështirë, aq sa na ysht ta ndryshojmë pyetjen emblematike që Jakobson ngre në fund te “Pamjet gjuhësore të përkthimit”, ndërsa ndalet tek shprehja e njohur “Traduttore, traditore”: përkthyes i cilave mesazhe? Tradhtues i cilave vlera?” Pyetja e Jakobsonit shfaqet përgjithësuese, rrok çdo ligjërim letrar; nga njëra anë shpreh qenien e përkthimit “tradhtim” në rrafshin e “vlerave”… Nga Express më 05 janar 2011 në ora 12:53

Më së pari, vlen të sjellim në vëmendje faktin se ligjërimi letrar lëviz në dy rrafshe kryesore: “kuptimësi” dhe “vlera”. Rrafshi i dytë është gjithë sa e dallon, së pari, ligjërimin letrar nga format e tjera ligjërimore: përmasa letrare s’lidhet me “kuptimësinë”, por me “formën” artistike të dhënies së kësaj “kuptimësie”; po ashtu, nga një qasje më të ngushtë, rrafshi i “vlerave” është gjithë sa e dallon një ligjërim letrar nga një tjetër i të njëjtës natyrë. Kjo vlen edhe për përkthimin letrar, i cili ndan të njëjtën natyrës të ligjërimit, arsye për të cilën s’lëviz vetëm në rrafshin e “kuptimësisë”, por edhe të “vlerave”; madje, si në rastin e ligjërimit, edhe tek përkthimi letrar, rrafshi i “vlerave” shfaqet pjesë e dallueshmërisë së një përkthimi letrar nga një tjetër i po të njëjtës natyrë.

Vështruar kësisoj, sipërmarrja për të sjellë në një gjuhë tjetër prozën e Kafka-s shfaqet e vështirë, aq sa na ysht ta ndryshojmë pyetjen emblematike që Jakobsoni ngre në fund të Pamjet gjuhësore të përkthimit, ndërsa ndalet tek shprehja e njohur “Traduttore, traditore”: përkthyes i cilave mesazhe? Tradhtues i cilave vlera?” Pyetja e Jakobsonit shfaqet përgjithësuese, rrok çdo ligjërim letrar; nga njëra anë shpreh qenien e përkthimit “tradhtim” në rrafshin e “vlerave”; nga ana tjetër i lë shteg gjasës se, në rrafshin e “mesazheve” (“kuptimësisë”), përkthimi është fatshkruar të jetë sipërmarrje e mundshme. Dhënia e “mesazhit” është pjesa më e lehtë e përkthimit, thuhet, çka të shumtën e herëve vlen, por jo gjithnjë, e këtu kam parasysh prozën e Kafka-s; në rastin e saj, qëndrim në dritën e njohurive na ysht të pyesim: “Tradhtues i cilave mesazhe? Tradhtues i cilave vlera?”, pasi vështirësitë dhe problemet për ta sjellë në një gjuhë tjetër prekin edhe rrafshin e “kuptimësisë”. Duke marrë si shembull Die Verwandlung – tekst-shifër i gjuhës së Kafka-s – në vijim do të rrah të sjell disa syresh, pashmangshmëria e të cilave dëfton jo vetëm pasaktësitë, por edhe mendjelehtësinë me të cilat përkthyesi i është qasur kësaj proze.

2.1. Vështirësitë në rrafshin e “vlerave”
Le të marrim si fillim fjalinë që hap këtë novelë dhe të qëmtojmë së pari problemet dhe vështirësitë që shfaq në rrafshin e “vlerave” dhe më pas në atë të “kuptimësisë”, për të parë së fundmi se çfarë ka humbur dhe çfarë ka fituar në përkthimin shqip.
“Als Gregor Samsa eines Morgens aus unruhigen Träumen erwachte, fand er sich in seinem Bett zu einem ungeheuren Ungeziefer verwandelt”. Kjo fjali paraqet disa nga tiparet më të spikatura të rrëfimtarisë kafkiane. Nga njëra anë kemi një fjalor asketikisht të përkorë, një “Sprachurlaub”, një “gjuhë turistësh”, siç e etiketojnë me qesëndi gjermanët “Praguerdeutsch”-in – gjermanishten e Pragës së periudhës austro-hungareze, në të cilën edhe shkroi Kafka – e cila shfaqet e zhveshur nga zhargonet, dialektet, apo krahinorizmat që mbart “gjermanishtja standarde” (Hochdeutsch”), në treva të ndryshme të Gjermanisë; nga ana tjetër, kemi përdorimin e pazakontë dhe idiosinkratik jo vetëm të fjalëve, por, më së pari, të gjuhës, çka bie në sy më së tepërmi tek natyra e stilizuar dhe komplekse e sintaksës që shpalos. Kur fjala është për përkthimin, këto dy tipare s’mund të anashkalohen lehtë, pasi janë pjesë e “vlerave”; dhe pikërisht këtu fillojnë të shfaqen të parat vështirësi të pakapërcyeshme me të cilat haset sipërmarrja për të sjellë këtë prozë në një gjuhë tjetër.

Më konkretisht:
Tipari i parë është pjesë e “vlerave” gjeolinguistike dhe sociolinguistike; për rrjedhojë, përkthyesit i duhet që të hulumtojë brenda “gjuhëve” të gjuhës së tij, për të gjetur “gjuhën” që jo vetëm i përgjigjet “Praguerdeutsch”-it, por edhe dëlir tek lexuesi i gjuhës pritëse të njëjtat mbresa që ajo lë tek lexuesit gjermanë, sidomos sa i përket përzierjes së saj me elementë të çekishtes, nga njëra anë, dhe hebraishtes, nga ana tjetër, çka është e pamundur. E s’mbaron me kaq; në këtë prozë hasim edhe fraza, fjalë, kalambure e kadenca të “Österreichisches Deutsch”, “gjermanishtes austriake”, që ishte “gjuha zyrtare”, “administrative” e Pragës, çka i jep pamësisë në fjalë edhe një përmasë histolinguistike. Këndejmi, ajo çka humbet fillimisht proza e Kafka-s kur sillet në një gjuhë tjetër janë vlerat gjeo-socio-histo-linguistike, ku përkthyesit s’i mbetet veçse t’i dorëzohet pamundësisë, për ta lënë origjinalin në “mistikën” e vet, siç do të shprehej Agron Tufa.

Tipari i dytë është pjesë thelbësore e “stilit”, e të gjithë sa e dallon një shkrimtar. Le ta qëmtojmë nga kjo qasje fjalinë e marrë si shembull, e cila shfaqet e rëndësishme për të kuptuarit e novelës si një e tërë, për të parë se për çfarë është fjala dhe se çfarë ka humbur apo çfarë ka fituar në përkthimin shqip.
Fjalia përbëhet nga dy pjesë: “Als Gregor Samsa eines Morgens aus unruhigen Träumen erwachte,//fand er sich in seinem Bett zu einem ungeheuren Ungeziefer verwandelt”. Ajo çka bie fillimisht në sy, janë elementet retorike; dy pjesët e fjalisë janë përsosmërisht të balancuara dhe, përpos kësaj, vërejmë përdorimin e trefishtë të mohorit “un” te tri fjalë ritmikisht të balancuara: “unruhigen”, “ungeheuren”, “Ungeziefer”; më pas, pjesa e parë mbaron me folje, e dyta me pjesore të së shkuarës; lidhja e këtyre dy skajeve paraqet thelbin e rrëfimit: “Gregor Samsa erwachte verwandelt” – “Gregor Samsa u zgjua i shpërfytyruar”. Vështruar nga pikëpamja sintaksore, jemi para një fjalie të përbërë me nënrenditje, ku e para është pjesa e nënrenditur kohore dhe e dyta pjesa kryesore.

Qoftë elementet retorike të fjalisë, qoftë ndërtimi i saj sipas kësaj strukture sintaksore, mëtojnë të mbulojnë një funksion të mirë përcaktuar; nisja me një fjali të përbërë me nënrenditje e largon sintaktikisht rrëfimin nga çdo përmasë “mitike”, “legjendare”, apo “përrallore”, për ta shtratëzuar në një përmasë “realiste”, natyrisht, jo në atë “realizëm” letrar që Northrop Frye-i e cilëson si “low mimetic” – “shkërbim i ulët” – i “realitetit”, por në atë përmasë “realiste” që lëviz pas shprehjes “Es war kein Traum” – “S’ishte ëndërr”. Pjesë e kësaj shfaqet edhe përmendja qysh në krye të fjalisë e Gregor Samsa-s (i paraqitur si njeri që lexuesi presupozohet se e njeh), edhe elementët “realistë” që hasim në këtë fjali, dhe në ato vijueset.

Të vendosura brenda këtij “shtrati”, elementët retorikë rrahin të çdramatizojnë tërë sa përbën thelbin e rrëfimit, shpërfytyrimin e Gregor-it, që krahas elementit “fantastik”, hidhet si “shashkë ekspresioniste” në përmasën “realiste” të rrëfimit. Në këtë drejtim lipset lexuar edhe mungesa e një fjalori tronditës dhe traumatik në fjalitë vijuese, siç mund të pritej në raste të tilla, çka e zë lexuesin në beft. Sakaq, vështruar në dritën e “retorikës poetike”, përpos funksionit çdramatizues, elementët në fjalë janë pjesë e një fijëzimi ironie dhe humori, që zgjatohet deri në çastin kur, pas mohimit dhe mësymjes së të atit, Gregor-i ndjen peshën e shpërfytyrimit, dhe mendon: “nun gab es wirklich keinen Spaß mehr” – “tanimë e tërë kjo vërtet s’ish më shaka”. Përpos tematikës së shprehur, shpërfytyrimi, që është pjesë thelbësore e folklorit hebraik dhe rrëfenjave hasidike, ky fill e lidh novelën me iluminizmin hebraik (Haskalah), të cilin Kafka e kish njohur përmes Buber-it, ku qokat biblike e fetare humbasin funksionin e tyre shpresëtarik, për të përftuar një kuptimësi laiciste. Në vazhdën e këtij laicizmi, tematika e shpërfytyrimit nisi të trajtohej me frymë humori dhe ironie, ku do të mjaftonte të sillnim në kujtesë rrëfenjat e Peretz-it, me të cilat shpërfytyrimi i Gregor-it përqaset jo pak, sidomos sa i përket çdramatizimit, ftohtësisë dhe humorit me të cilët përshkruhet, ku orvatja e Gregorit për ta penguar shefin të hyjë në dhomën e tij, p.sh., na jepet përmes disa penelatave komike alla Chaplin.

Sakaq, për t’iu kthyer çështjes së sintaksës, ndërtimi i fjalisë sipas kësaj strukture rreh të mbulojë një funksion të dytë, më të ndërlikuar, dhe lidhet me një veçori sintaksore të gjermanishtes; përpos e përbërë me nënrenditje, fjalia në shqyrtim është “ndajfoljore”. Në fjalitë “ndajfoljore”, sintaksa e gjermanishtes e do që folja kryesore të vendoset në fund (“Als... erwachte”), çka rrit ndjeshëm tensionin e lexuesit; përpos kësaj, kjo sintaksë e do që edhe pjesorja e të shkuarës të vendoset jo pranë foljes ndihmëse, apo sintagmës që luan rolin e foljes ndihmëse, por në fund; në rastin e një fjalie hipotaktike të ndërlikuar e me më tepër se një pjesë të nënrenditur, suspense-i që e shoqëron lexuesin deri tek folja kryesore e fjalisë sa vjen e bëhet i ndjeshëm dhe torturues. Njëlloj si Kleist, Kafka e shfrytëzon in extremis këtë veçori të gjermanishtes, ku fjalia që po trajtojmë s’është veçse një shembull nga më të thjeshtit. Kësisoj, ndërsa përmes elementëve retorikë çdramatizon thelbin e rrëfimit, përmes sintaksës së fjalisë Kafka dramatizon kohën e leximit.

Në përkthim, fjali të kësaj natyre, skajshmërisht të stilizuara, rrezikojnë të humbasin shumëçka sa i përket qoftë vlerave retorike, qoftë atyre sintaksore. Për rrjedhojë, një nga detyrat që i shtrohet përkthyesit është hulumtimi i rrugëve dhe mjeteve të duhura për të përcjellë tek lexuesi i gjuhës pritëse ato mbresa që origjinali lë tek lexuesi i gjuhës ardhëse.

Duke mbajtur parasysh tërë sa më sipër, le të shohim çfarë “vlerash” ka humbur dhe çfarë “vlerash” ka fituar në përkthimin shqip fjalia e marrë si shembull.
“Një mëngjes, teksa u zgjua në shtratin e tij nga ëndrra të shqetësuara, Gregor Samsa e pa veten të shndërruar në një insekt të stërmadh.” – Ajo çfarë fjalia e Kafka-s ka humbur në këtë sjellje, besoj është e qartë; përpos fjalisë së përbërë me nënrenditje, tërë “vlerat” e tjera që vura në pah, kanë firuar. Kësisoj, s’na mbetet rrugë tjetër përpos se të shohim se çfarë vlerash ka fituar. Përpos zbehtësisë, fjalie e famshme e Kafka-s ka fituar në përkthimin shqip një tautologjizëm të zbrazët, e krijuar nga zhvendosja e frazës “in seinem Bett” nga pjesa kryesore e fjalisë në origjinal, tek pjesa e varur, ku na shfaqet thjesht parazitare, njëlloj siç shfaqet përmendja e “viçit” tek fraza “lopa polli viç” (e ç’mund të pillte tjetër??!!) apo “e pa me sy” (e me ç’mund ta shihte tjetër??!!), ndërkohë që në pozicionin që ajo mbulon në origjinal, nuk shfaq parazitizëm, e as krijon tautologjizëm, njëlloj siç nuk krijon tautologjizëm fraza “polli viç” apo “me sy”, nëse i zgjerojmë, duke i shtuar një mbiemër fjalëve “viç” dhe “sy” (krh. “lopa polli një viç të madh” dhe “e pa me sy të zgurdulluar”).

Krahas kësaj, kjo fjali ka fituar edhe një absurdizëm, e krijuar nga fraza “e pa veten”, e cila i përgjigjet pasaktësisht frazës në gjermanisht “er fand sich” – “u gjend”; kjo frazë është absurde, jo thjesht sepse bie ndesh me elementët e tjerë të fjalisë (këtu është autori që rrëfen, por nga jashtë, jo nga brenda mendjes së personazhit), por sepse në këtë rast, “e shoh veten” s’i përgjigjet një ideje “abstrakte”, siç ndodh në rastet kur shprehemi “e pashë veten ngushtë”, por një veprimi konkret, siç ndodh në rastet kur shprehemi “e shoh veten në pasqyrë”. E vetmja që e shpëton këtë fjali nga absurdizmi, është gjasa që Gregori të ketë pasur një tavan të pasqyrtë, përndryshe, nuk ka gjasa që Gregori as ta “shohë veten”, dhe jo më të konstatojë se është “shndërruar në një insekt të stërmadh”.

Shpëtim Doda
Standard

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›