E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Berisha operohet nga gjuri

TIRANE-Sali Berisha, kryeministri shqiptar i është nënshtruar te premten një ndërhyrjeje kirurgjikale. Lajmi është mbajtur shumë i rezervuar nga autoritetet e spitalit amerikan të Tiranës, në të cilin vetë kryeministri ka preferuar që të kryejë operacionin në gju. Gazeta Shqiptare pasi ka mesuar lajmin njofton ne numrin e sotem se shefi i ekzekutivit, ka shmangur çdo kontakt me njerëz e pacientë ndërsa ka hyrë në spitalin amerikan rreth orës 20.30 të së premtes në mbrëmje dhe ka dalë prej andej rreth orës 7.30 të së shtunës paradite.
Operacioni
Sipas burimeve të spitalit amerikan, kryeministri vuante nga një dhimbje e gjurit në mënyrë të kohë paskohëshme. Këto ditët e fundit ai ka bërë një kontroll në spital, dhe më pas është vendosur për operacionin. Bëhet fjalë për një operacion të lehtë, sipas burimeve spitalore. Kryeministrin e shqetësonte një kockë në gju, dhe për këtë arsye ka vendosur që operacioni të bëhet në Shqipëri, duke qenë se nuk kishte komplikacione.
Operacioni i kryeministrit ka shkuar shumë mirë. Por duket se Berisha nuk duhet të sforcojë tashmë këmbët e tij. Për disa ditë nuk mund të vendosë këmbën në tokë, dhe gjatë këtyre ditëve, mjekët e kanë këshilluar që edhe për lëvizje të mund të përdorë ndonjë patericë.
Por nuk dihet sesi do të kalojë kjo për kryeministrin i cili këto kohë ka dhe një axhendë të ngjeshur.
Berisha vendosi të bëjë operacionin në gju, menjëherë pas kthimit nga Brukseli, ku pati takime me qeveritarë të vendeve evropiane. Pas kësaj, shefi i qeverisë nuk ka dalë më në publik për shkak të problemit me gjurin.
Ndërkaq, mësohet se kryeministri është vendosur në shtëpi, dhe nuk dihet nëse ditën e hënë do t’i kthehet punës në zyrë. Megjithatë, për mjekët ndërhyrja ka qenë e thjeshtë, dhe prezenca e Berishës në spital përgjatë gjithë natës së premte duke u gdhirë e shtunë, ka qenë thjesht për të qenë në kontrollin e tyre.
Shëndeti
Kryeministri në fakt ka pasur pak kohë më parë një tjetër ndërhyrje. Por këtë radhë bëhet fjalë për hundën. Operacioni, i cili sipas burimeve është kryer në janar, është bërë në një nga spitalet e Vjenës. Kontrollet janë bërë në spitalet e Tiranës, por më pas, kryeministri ka preferuar një spital të një vendi evropian për të kryer ndërhyrjen në hundë. Kryeministri Sali Berisha, vuante nga një masë mishi në hundë, të cilën pas ndërhyrjes e ka hequr plotësisht. Dhe përveçse qëndroi gjatë janarit për një kohë gati një javore pa pasur dalje publike për shkak të qëndrimit jashtë shtetit, menjëherë pas kthimit në atdhe, asgjë nuk u vu re në shëndetin e tij. Edhe pse, nuk duket asnjë shenjë për ndërhyrje nga pozicioni që fokusohet nga kamerat.
Ndërkaq operacioni i dy ditëve më parë ka shkuar më së miri dhe shefi i qeverisë ka preferuar që atë ta bëjë në Shqipëri. Sugjerimi i mjekëve për shefin e qeverisë ka qenë thjesht mossforcimi i muskujve të gjurit deri në përmirësimin e tij të plotë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›