Presidenti Xhani, shpërblim në rast fitoreje me Tiranën
Derbi Tirana-Partizani do të thotë shumë, sepse përballje të tilla nuk kalohen lehtë dhe pa dyshim stimujt në të tilla raste nuk mungojnë. Pavarësisht oshilacioneve financiare që ka kaluar Partizani, përsëri është e sigurt se, nëse të kuqtë fitojnë sot ndaj Tiranës, do të shpërblehen patjetër nga presidenti Xhani. Madje nga burime pranë klubit mësohet se presidenti Xhani ka deklaruar se futbollistët duhet të mendojnë vetëm për ndeshjen në fushë dhe, nëse fitojnë, do të përfitojnë një premio të majme, ashtu siç ka ndodhur edhe në sezonin e kaluar. Sipas drejtorit të akademisë "Partizani", Genc Tomorri, është e sigurt që presidenti Xhani do të jetë i pranishëm në derbi dhe një sukses me bardheblutë pa dyshim që do të shpërblehet nga njëshi i kuq. Pra, ish-futbollisti, tani zyrtar i Partizanit, Genc Tomorri, e pranon faktin se futbollistëve nuk do t'u mungojë stimuli, i cili në rast fitoreje do të jetë i majmë, por nuk jepen shifra ekzakte. Pa dyshim që një fitore e Partizanit do të thotë shumë, sepse është mënyra më e mirë që të rregullohet "biografia" midis tifozëve dhe presidentit Xhani. Dy javët e para kanë treguar se midis tifozërisë dhe skuadrës ka vakum, i cili mund të mbushet vetëm me një fitore ndaj Tiranës. Prandaj derbi i sotëm shikohet si një mundësi e mirë që tifozëria të afrohet te skuadra dhe për ta realizuar këtë gjë futbollistëve nuk do t'u mungojë edhe shpërblimi financiar. Dihet se në sezonin e kaluar të kuqtë "paren më të madhe" e kanë përfituar nga premiot për dy fitoret me Tiranën, ku pa dyshim më historikja ka qenë fitoria 4-1, që u arrit më 1 mars. Sot, futbollistët e kuq kanë rastin më të mirë për të provuar burrërinë e presidentit Albert Xhani, prandaj ata le të fitojnë, ndërsa të tjerat le t'ia lënë në dorë të zotit të shtëpisë. Nëse në dy javët e para ekipi nuk u grumbullua, ndryshe është vepruar për derbin me bardheblutë. Pas përfundimit të seancës së fundit stërvitore, të kuqtë janë grumbulluar në një hotel në periferi të Tiranës. Pa dyshim që grumbullimi i skuadrës para ndeshjeve shikohet si një lajm i mirë se gjërat te Partizani gradualisht po vijnë duke u përmirësuar, por e kaluara nuk duhet harruar.