E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Viva Vija !”, Spanja shkatërron 4 - 1 Rusinë

"Hat-trick"-u i David Vijës i dha një fitore argëtuese Spanjës kundër Rusisë (4-1) në ndeshjen hapëse të Grupit D. Formacioni i Luis Aragones – skuadra më e shtrenjtë financiarisht, 251 milionë euro – i dha një leksion rusëve të drejtuar nga një prej takticienëve më të mirë në botë, trajneri holandez Gus Hidink. Spanja është kështu prej 17 ndeshjesh e pathyer.
Me tre golat e realizuar, 26-vjecari Vija është edhe golashënuesi më i mirë i turneut deri tani. Podolski i Gjermanisë, i dyti me dy gola.
Pas Holandës, që fitoi të hënën 3-0 me kampionët e Botës, Italisë, Spanja shfaqet si pretendentja e dytë më e madhe e finaleve të Euro 2008. David Vija shfrytëzoi një asist të embël të Fernando Torres dhe një pas të artë të Andres Iniestës për të realizuar në minutat 20 e 45.
Sulmuesi i Liverpulit, Fernando Torres u shfaq i pakënaqur nga zëvendësim i tij nëntë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, por Vija e festoi largimin e tij me golin e tretë në minutën 75-të.
Me fantazistin e pezulluar Andrei Arshavin dhe sulmuesin e dëmtuar Pavel Pogrebnyak, Rusia nuk mund të bënte vecse një ngushëllim të vonshëm, kur Roman Pavlyuchenko (86') realizoi golin e vetëm për vendin e tij, në ndeshjen më të keqe të Rusisë në një turne të madh.
Ylli i Arsenalit, Cesk Fabregas, realizoi në kohën shtesë(91') golin e katërt për Spanjën, duke dhënë njëherësh sinjalin e qartë se Spanja është një nga pretendentet e mëdha për të fituar pas 44 vjetësh trofeun e dytë europian, pas atij të vitit 1964.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›