UEFA: “Goli i Rudit, 100 per qind korrekt”

Goli i parë i Holandës, i shënuar nga Rud van Nistelroi, ka hapur shumë polemika në botën e gjykimit për legjitimitetin e tij. Shefi i "bilbilave" të Premier Ligës angleze, Keith Haket, pohoi se goli ishte i rregullt. Van Nistelroi dukej nga pamjet se ishte në pozicion jashtë loje, kur ai shënoi nga një distancë e afërt. Por sipas BBC-së, që i referohet Haketit, ai ishte në lojë për shkak të mbrojtësit italian Kristian Panuci, i cili po largohej nga fusha në këtë kohë.
"Fakti është se asistenti ishte korrekt në vendimin e tij. Mbrojtësi, i cili po linte fushën u konsiderua aktiv", - tha Haket. "Kristian Panuci po largohej nga fusha pas një kontakti me portierin e tij Xhanluixhi Bufon, duke u konsideruar pjesë e lojës".
Sekretari i përgithshëm i UEFA-s, David Tejlor tha se gjyqtari suedez Peter Frojdfeldt dhe asistenti i tij Stefan Uitberg ishin absolutisht korrekt në interpretimin e tyre. Ai tha në një konferencë: "Ka një sërë keqkuptimesh se përse u dha ky gol i vecantë. Në fakt, disa komentatorë televizionesh këmbëngulën se goli ishte qartësisht jashtë loje, por ky nuk ishte një rast i tillë".
Sulmuesi holandez Dirk Kajt tha: "Unë mendova se goli ishte përfundimisht jashtëloje, por Rudi më tha se Panuci ishte pranë portës. Ndoshta ai ishte pas saj, por ai ishte pjesë e lojës dhe kështu ai nuk ishte jashtë loje".