E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Mungesa e specialistëve, për zbatimin e ideve që na nxjerrin nga kriza ekonomike

Edhe pse vitin e ardhshëm në Gjermani mund të ketë deri pesë milionë të papunë, në fushat e shkencave natyrore, të informatikës dhe të teknikës së ekonomisë, edhe tani në kohë krize mungojnë forcat e specializuara. Atij që shfleton ofertat për vende pune në gazetat mbirajonale ose në internet i bie në sy shpejt: inxhinierët vazhdojnë të kërkohen. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për vende pune konstruktorësh makinash ose automjetesh, elektroteknike ose ndërtimi, numri i vendeve të punës që ofrohen është shumë i madh. Me të vërtetë, megjithë krizën në sipërmarrjet gjermane mungojnë aktualisht rreth 60 mijë forca të specializuara në fushat e matematikës, të informatikës, të shkencave të natyrës dhe teknikës. Këto janë fusha që kanë rëndësi shumë të madhe për të ardhmen ekonomike të vendit, thotë Thomas Sattelberger, kryetari i Këshillit të Personelit në telekomin gjerman, Deutsche Telekom: "Inovacionet në shkencat e natyrës dhe të teknikës e kanë katapultuar Gjermaninë në kombet avantgardë të ekonomive popullore me zhvillim të lartë. Dhe e ardhmja e Gjermanisë është në kompetencën bazë në fushat e matematikës, të informatikës, të shkencave të natyrës dhe të teknikës, në shërbimet teknologjike të afërta me këto dhe në thelb edhe në sektorin e shërbimeve."

Para një viti me iniciativën "MINT të krijosh të ardhmen" u krijua prej ekonomisë një platformë, në të cilën koordinohen në rang Gjermanie nismat e ekonomisë gjermane . Synimi është që të fitohen më shumë të rinj për të studiuar në shkencat natyrore dhe ato teknike. Por kjo kërkon kohë. Që një student i klasës së dhjetë, i entuziazmuar për fluturimet kozmike, të bëhet një fizikan i astronomisë ose inxhinier kozmik, për këtë normalisht kërkohen dhjetë vjet. Përvoja tregon veç kësaj, se që prej shprehjes së interesit deri në marrjen e diplomës është shpesh një rrugë e gjatë, si bën të qartë eksperti i arsimit dhe i tregut të punës, Hans Peter Klës: "Po të ndjekim të dhënat e PISA-s, atëherë ne zëmë një vend në mesfushë, me të rinj shumë kompetentë, me dije në shkencat natyrore dhe teknike. Por ne nuk arrijmë që ta vëmë në jetë këtë vend në mesfushë, përmes numrit të madh të atyre që studiojnë dhe shifrave të larta të atyre që e mbarojnë shkollën".

Përkundrazi një në katër studentë në fushat e shkencave natyrore dhe teknike i ndërpret studimet. Kështu që universitetet i përfundojnë shumë më pak njerëz, se sa kërkohen nga ekonomia. Më e vonta kur të ketë marrë fund rënia konjukturore, boshllëku do të shtohet. Kësaj i shtohet edhe faktori demografik. Në profesionet më të kërkuara, çdo vit dalin në pension rreth 60 mijë inxhinierë. Edhe përfaqësuesit e ekonomisë janë të të njëjtit mendim: ide të mira ka sa të duash në Gjermani. Por po të mungojnë inxhinierët, atëherë në të ardhmen do të bëhet e vështirë ruajtja e vendeve kryesuese në konkurencën ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›