E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, BE: S'ka datë për Shqipërinë

Shqipëria dhe Bosnjehercegovina kanë ende punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara për heqje të vizave


TIRANË- Kreu i departamentit për marrëdhëniet me jashtë dhe zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Luigi Soreca, në një intervistë për BBC-në tha se Shqipëria dhe Bosnjehercegovina, me gjithë progresin e rëndësishëm, kanë ende punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara për heqje të vizave.


I pyetur mbi faktin nëse është e justifikueshme, që nga regjimi i vizave të përfitojë vetëm Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia dhe jo Shqipëria e Bosnjehercegovina, Kreu i departamentit për marrëdhëniet me jashtë u përgjigj se dialogu i liberalizimit të vizave që Komisioni Evropian lançoi me pesë vendet në rajon u bazua në një hartë rruge mjaft të qartë me standarde.


"Kur arriti koha për komisionin që të finalizonte vlerësimet, në atë moment ishte e qartë nga raportet e ekspertëve të shteteve anëtare, nga burime të hapura, si dhe nga vetë raportimet tona se Maqedonia kishte plotësuar tërësisht të gjitha standardet.


Se Serbia dhe Mali i Zi ende duheshin monitoruar në disa çështje të dukshme, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina, me gjithë progresin e rëndësishëm të bërë, ende kanë punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara", - tha Soreca.


Kur flitet për Shqipërinë, çështjet janë teknike, edhe pse referuar bojkotit të opozitës, Soreca shtoi se të gjitha partitë politike në Shqipëri duhet të marrin pjesë në përpjekjet që vendi dhe autoritetet po bëjnë që shtetasit shqiptarë të marrin atë që meritojnë, që do të thotë liri e lëvizjes drejt shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit.


Sipas tij, është ende herët që të flasim për data për heqjen e vizave, pasi çdo gjë varet nga progresi që duhet të bëjë Shqipëria në realizimin e standardeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›